Kosova është në mesin e vendeve evropiane me rritje të madhe të numrit të rasteve me COVID-19 në kohët e fundit. Kështu ka thënë të enjten Dr. Hans Kluge, drejtor regjional i OBSH-së për Evropë.
“Për javë të tëra kam folur për rrezikun e rritjes së rasteve, ndërsa vendet filluan me lehtësim të masave. Në disa vende në Evropë, ky rrezik tani është bërë realitet. Në 30 vende ka rritje të rasteve në dy javët e fundit”, ka thënë Kluge, raporton “Euronews”.
“Në 11-të prej vendeve, përshpejtimi i përhapjes ka çuar te një rritje e madhe që nëse mbetet e pakontrolluar do të shtyjë sërish buzë kapitullimit sistemet shëndetësore në Evropë”, ka shtuar ai.
Sipas Euronews bëhet fjalë për vende si Shqipëria, Azerbajxhani, Bosnjë-Hercegovina, Kazakistani, Kosova, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Suedia, Ukraina.
Më shumë se nëntë milionë njerëz janë konfirmuar të jenë infektuar me COVID-19 në botë. Sipas OBSH-së kanë vdekur më shumë se 479 mijë njerëz.
54 vendet evropiane anëtare të OBSH-së llogarisin në më shumë se 2,6 milionë raste dhe mbi 195 mijë të vdekur.