Arbëri

Kosova në dosjen “Epstein”, Jahjaga e Pacolli e mohojnë se e njohën të dënuarin për abuzim me vajzat

Në dokumentet e radhës të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA-së për Jeffrey Epstein, përmenden edhe dy ish-presidentë të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli. Por të dy e kanë mohuar ta kenë njohur ose takuar Epsteinin. Jeffrey Epstein ishte akuzuar e dënuar se vajzat e mitura i dërgonte në ishullin e tij privat në Karaibe, ku i abuzonte seksualisht dhe i përdorte për trafikim ndërkombëtar, ndërsa përdorte lidhjet me njerëz të fuqishëm për të mbuluar veprimtaritë e tij

Dy ish-presidentë të Kosovës përmenden në dosjet e fundit të publikuara të financierit të ndjerë amerikan Jeffrey Epstein, i cili ishte dënuar për përfshirje në trafikim dhe abuzim seksual të vajzave të mitura. 

Departamenti i Drejtësisë në qeverinë e Shteteve të Bashkuara në fund të janarit publikoi mbi 3 milionë dokumente të Epstein, e në to përmenden edhe ish-presidentët Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli. 

Në një e-mail të dërguar në adresën e Epsteinit, nga Daniel Siad – emër që përmendet shpesh në korrespodencat e tij, përmendet presidenti i Kosovës. 

“Princesha nga Tajlanda do të jetë në New York te Kombet e Bashkuara me Presidenten e Kosovës, ajo do të dëshironte të të takonte”, thuhet në e-mailin e nisur në adresë të Epsteinit.  

Ky e-mail mban datën 16 shtator 2012. Atë kohë postin e presidentit e mbante Jahjaga.

Valentina Abazi, këshilltare e Jahjagës është përgjigjur në emër të ish-presidentes dhe ka mohuar të ketë pasur takim mes Epsteinit dhe Jahjagës. 

“Presidentja Jahjaga asnjëherë nuk e ka takuar, kurrë nuk ka kërkuar takim me të dhe as nuk e ka ditur kush është”, ka thënë Abazi. 

 

Një e-mail tjetër i dërguar nga Daniel Siad në adresë të Epsteinit mban titullin “Kush është Behgjet Pacolli?”, e në të është i bashkëngjitur edhe një link i një videoje në Youtube, i cili tani nuk hapet. 
Në këtë e-mail shkruan “Përshëndetje Jeffrey, princesha do të donte që ti ta shihje këtë video”.
Princesha e përmendur në këtë korrespodencë është Mom Luand Rajadarsri Jayankura, anëtare e familjes mbretërore të Tajlandës, e cila shpesh në e-maile dhe korrespodenca të tjera me Epsteinin, prezantohet si Konsullja e Nderit e Republikës së Kosovës në Tajlandë. 

KOHA nuk ka mundur të gjejë asnjë dokument publik të lëshuar nga autoritet e Kosovës ku Jayankura përmendet si konsulle e vendit. 

KOHA e ka pyetur edhe Pacollin se a e ka njohur Epsteinin, a është takuar me të dhe a ka vizituar ndonjëherë ishullin e tij. 

Por Pacolli ka mohuar të ketë dëgjuar për të. 

“Asnjëherë nuk jam takuar, as nuk kam komunikuar, as nuk kam qenë asnjëherë në pronat e tij. Unë vetëm tani (kur përflitet për të v.j.) dëgjoj për ekzistencën e tij”, ka thënë Pacolli.

Edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, i njohur për deklaratat e tij të ashpra ndaj Kosovës, është përfshirë së fundmi në dokumentet e publikuara që lidhen me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

E-mailet zbulojnë detaje të planifikimit të udhëtimit, mënyrën e transportit dhe personat që do t’i prisnin Jaglandin dhe familjen e tij pas mbërritjes në ishull, ku dyshohet se kanë ndodhur shumë nga abuzimet seksuale për të cilat Epstein u akuzua më vonë.

Në përgjigjen e tij, Jagland, kishte shkruar se nuk mund të udhëtonte për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia, ka raportuar gazeta “Dagbladet”.

Në vitin 2004, Jagland kishte deklaruar se mafia ka marrë nën kontroll një pjesë të madhe të qeverisë së Kosovës, duke thënë se “Kosova prodhon pak gjëra të tjera përveç krimit”.

Në dokumentet e publikuara të Epsteinit, në qendër të vëmendjes janë presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump, por edhe ish-presidenti Bill Clilton e figura të tjera të njohura.

Po ashtu, për shkak të përfshirjes së tij në këtë skandal, ish-emisari i BE-së për dialogun Miroslav Laçak, ka dhënë dorëheqjen si këshilltar i kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico.

Jeffrey Epstein ishte akuzuar se vajzat e mitura i dërgonte në ishullin e tij privat “Little Saint James” në Karaibe, ku i abuzonte seksualisht dhe i përdorte për trafikim ndërkombëtar, ndërsa përdorte lidhjet me njerëz të fuqishëm për të mbuluar veprimtaritë e tij.

Epstein vdiq më 2019, teksa ishte në burg.