Një zotim i Qeverisë Kurti për ngritjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk është konkretizuar edhe dy vjet pas marrjes së mandatit. Krahas kësaj, njohësit thonë se për përmbushjen e këtij zotimi, Kosova i ka mundësitë e kufizuara ligjore, shkaku se nuk është anëtare e OKB-së. E problem për hartimin e padisë po vlerësohet edhe ngecja e shtetit në dokumentimin e krimeve të luftës
Asnjë veprim drejt dorëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të padisë për gjenocid kundër Serbisë nuk është bërë nga Qeveria, ani se ky zotim ishte pjesë e programit të saj.
Krahas kësaj, Amer Alija, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se Kosova i ka të kufizuara mundësitë ligjore për përmbushjen e zotimit, ngase nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ai ndërkaq pretendon se një mundësi e Kosovës është parashtrimi i një deklarate mbi pranimin e juridiksionit të kësaj gjykate, e cila më pas do të vlerësohej nga shtetet anëtare po qe se plotësohen kushtet formale për parashtrimin e padisë. Porse shpreh skepticizmin se deklarata do të mund të pranohej.
“Duke pasur parasysh edhe përbërjen e gjyqtarëve pranë kësaj gjykate, ku janë 15 gjyqtarë dhe në përbërjen e këtyre 15 gjyqtarëve janë gjyqtarë nga Brazili, Rusia, nga Kina, nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, unë mendoj që do të jetë shumë sfiduese pranimi i padisë në mënyrë formale dhe më pastaj të mos flasim për trajtimin e rastit nga kjo gjykatë”, tha Alija.
Hartimi i padisë është kompetencë e Zyrës së kryeministrit. Nga kjo zyrë, prej një muaji nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS mbi veprimet e ndërmarra në këtë drejtim.
E dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, thotë se me gjithë pengesat ligjore, vështirësi për Kosovën do të përbëjë edhe vetë hartimi i padisë, si pasojë e mungesës së dokumentimit të krimeve të luftës dhe e klasifikimit të tyre si gjenocid, nga gjykimet e pakta të mbajtura deri më tash.
“Ne sot flasim, për shembull, për gjenocidin por nuk ka një rast që është vendosur për gjenocidin, që është kualifikuar si gjenocid. Nuk e kemi një verdikt, dhe ky është shqetësimi i parë”, tha Puka.
Për dokumentimin e krimeve, Qeveria e miratoi Projektligjin për themelimin e Institutit të Krimeve të Luftës, por 7 muaj pas kësaj dokumenti nuk arriti ta marrë mbështetjen e nevojshme të deputetëve në Kuvend, në të dy leximet.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shprehet e bindur se padia do të ngrihet, pavarësisht vështirësive ekzistuese.
“Sigurisht se do të jetë sfiduese, mirëpo ne do ta bëjmë këtë çështje në mënyrën më të mirë të mundshme. Padia për gjenocid është një nga prioritet që ka pasur Qeveria Kurti, prandaj edhe nuk mund të heqim dorë nga e njëjta”, tha Haxhiu.
Me gjithë ambicien për drejtësi ndërkombëtare, në organet vendore të drejtësisë pati ngecje në gjykimin e krimeve të luftës.
Deri në qershorin e 2021-s, në gjykatat e Kosovës u dënuan 31 persona për krime lufte, e 90 për qind e të dënuarve janë shqiptarë.