Arbëri

Kosova i hakmerret Serbisë për Jahjagën, ia ndalon Vulinit hyrjen në Kosovë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim të mos e lejoj hyrjen e ministrit të Punës në Serbi Aleksandër Vulin.

Burime nga Qeveria e Kosovës, kanë bërë të ditur për Koha.net se ndalesa e Vulinit për të hyrë në Kosovë ka ardhur si masë reciprociteti për Serbinë, pasi kjo e fundit nuk lejoi hyrjen e ish-Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ishte e ftuar në festivalin “Mirdita – dobar dan”, për të folur për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Aleksandër Vulin nuk është lejuar të hyjë në Kosovë, dhe kjo ka ndodhur si masë reciprociteti meqë presidentes Jahjaga nuk iu lejua hyrja në Serbi, ku ishte e ftuar për të folur për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë ky burim.

Burimet kanë bërë të ditur se vendimi është marrë nga Minsitria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ndërsa kujtojmë që më herët Ministri në detyrë, Enver Hoxhaj kishte deklaruar se do të përdoret reciprocitet ndaj Serbisë, në rast se kjo e fundit nuk respekton marrëveshjet e arritura mes dy shteteve.