Është inauguruar funksionalizimi i Zonës Ofertuese për Kosovën, të tregut ‘Një Ditë Para’ në kuadër të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike. Kryeministri Albin Kurti e ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, thanë se me të po garantohet furnizim i lirë me energji për Kosovën dhe Shqipërinë
Një muaj pas hyrjes në fuqi të fillimit të tregtimit energjetik të formës ‘Një Ditë Para’ për Zonën Tregtare të Kosovës, është mbajtur edhe ceremonia ku morën pjesë lidertët institucionalë.
Marrëveshja ka të bëjë me tregtimin e energjisë elektrike mes Kosovës dhe Shqipërisë nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike
Kryeministri Albin Kurti tha se me hapjen e Zonës Ofertuese për Kosovën, garantohen çmime stabile të energjisë.
“Verën veçanërisht viteve të fundit, qytetarët e bizneset e Shqipërisë e kanë kaluar me energji të bollshme falë energjisë së deponuar nga Kosova. E dimrin, qytetarët e bizneset e Kosovës, e kanë kaluar më ngrohtë falë energjisë së marrë nga Shqipëria. Ky bashkëpunim nga kompanitë tona mundësohet nga komplimentariteti i sektorëve tonë të energjisë. ALPEX-i është jetësimi i këtij bashkëpunimi”, theksoi Kurti.
E ministrja Rizvanolli tha se me të po vendosen themelet e një sektori modern të energjisë elektrike.
“Kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, i cili ka qenë veçanërisht i dobishëm përgjatë krizës. Vetëm gjatë dimrit 2022-2023 kemi pasur 250 gigavat orë këmbim nga Shqipëria me një kursim prej 50 milionë euro”, theksoi ajo.
Përfaqësuesja e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, Eileen Devitt, deklaroi se tregtimi i energjisë elektrike në formën ‘Një Ditë Para’, ndër të tjera përmirëson edhe ofertën për konsumatorin.
“ALPEX-i në veçanti do të stimulojë konkurrencën, kujdeset për çmime të drejta dhe do t’i zgjerojë zgjedhjet e konsumatorit. Lansimi i saj në Kosovë është një moment kyç për reliefin energjetik të Kosovës”, tha ajo.
Funksionalizimi i tregut ‘Një Ditë Para’ në Shqipëri është bërë gjatë vitit të shkuar.
Pjesë e bursës së energjisë janë edhe kompanitë kosovare Korporata Energjetike (KEK) e Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) është themeluar në vitin 2020 si një shoqëri aksionare në bashkëpronësi të operatorëve të sistemeve të transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës.