Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova e Shqipëria i bashkohen SHBA-së në Aleancën për liritë fetare

Foto: Aleteia.org

Kosova dhe Shqipëria, dhe 24 vende tjera të botës, i janë bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të krijuar Aleancën për Liritë Fetare.

Anëtarët e aleancës së re janë zotuar se do të mbështesin një Deklaratë të Parimeve, duke forcuar angazhimin e tyre kolektiv për të kundërshtuar, publikisht dhe privatisht, të gjitha abuzimet ose shkeljet e lirisë fetare, raporton “Aleteia”.

Vendet që i janë bashkuar SHBA-së në këtë Aleancë janë, veç Kosovës dhe Shqipërisë, janë edhe Austria, Bosnje e Hercegovina, Brazili, Bullgaria, Kolumbia, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Gambia, Gjeorgjia, Greqia, Hungaria, Izraeli, Letonia, Lituania, Malta, Holanda, Polonia, Senegali, Sllovakia, Sllovenia, Togo, Ukraina dhe Britania e Madhe, transmeton Koha.net.

Departamenti Amerikan i Shtetit, duke lajmëruar për grupin, tha se Aleancë bazohet në “Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, e përkushtuar që të punojë për të drejtat e çdo burri e gruaje për të besuar në çfarë të donë, për të ndryshuar besimin, apo të mos kenë kurrfarë besimi nëse ndërgjegjja e tyre dikton”.

“Secili ka një rol në luftën për të avancuar liritë fetare”, tha Departamenti i Shtetit. “Së bashku, me qëllim të përbashkët dhe me vizion të qartë, mund të luftojmë për të garantuar se gjeneratat e ardhshme kudo të gëzojnë një botë ku liria fetare është e mbrojtur dhe e avancuar”.

Deklarata e Parimeve për Aleancën përfshin një përkushtim “për të drejtën për të mbajtur çfarëdo feje apo besimi, apo edhe asnjë fare, si dhe lirinë për të ndërruar fenë”.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit i rekomandon Kosovës ta ndryshojë Ligjin për Lirinë Fetare Arbëri Departamenti Amerikan i Shtetit i rekomandon Kosovës ta ndryshojë Ligjin për Lirinë Fetare

Në darkën në Departamentin e Shtetit të mërkurën, Sekretari i Shtetit Michael Pompeo tha se “mbrojtja e të drejtës për të gjithë njerëzit për të jetuar sipas ndërgjegjes së tyre është një prej top prioriteteve të administratës [së Trumpit]”.

Ai u tha të pranishmëve se më shumë se tetë persona në 10 në botë sot jetojnë aty ku nuk mund të praktikojnë fenë e tyre lirshëm.

“I dënojmë terroristët dhe ekstremistët e dhunshëm që targetojnë pakicat fetare, qofshin ata jazidi në Irak, hindu në Pakistan, të krishterë në Nigerinë veriore apo myslimanë në Burma”, tha ai. “Dënojmë ligjet e blasfemisë dhe apostasisë që kriminalizojnë çështjet e shpirtit. Si dhe dënojmë armiqësinë e Partisë Komuniste Kineze ndaj të gjitha feve”.