Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) dhe Enti Rregullor i Energjisë i Shqipërisë (ERE), në mbledhjen e përbashkët të mbajtur të martën në Prishtinë, kanë miratuar rregullat dhe procedurat e tregtimit për bursën e përbashkët të energjisë, ALPEX.
Sipas një njoftimit të ZRRE-së, zhvillimi i bursës së energjisë elektrike ALPEX-it do të krijojë treg të përbashkët të energjisë elektrike në Kosovë dhe Shqipëri, ku pjesëmarrësit e sektorit mund të blejnë dhe shesin energji me lehtësi.
“Miratimi i përbashkët i dy organeve rregullative është hapi përfundimtar në kornizën rregullative që nevojitet për të mundësuar operimin e bursës së energjisë elektrike në mes të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
Sipas njoftimit, bashkimi i tregut në mes të Shqipërisë dhe Kosovës është mënyra më efikase për të ndihmuar maksimizimin e shfrytëzimit të kapacitetit ndërkufitar të energjisë elektrike dhe të transmisionit me çmimin më të ulët të mundshëm.
“ALPEX-i do të ofrojë platformë transparente për tregtimin e energjisë, ngrit konkurrencën në nivel të çmimit me pakicë dhe krijojë sinjale të çmimit që do të nxisë investime të reja të sektorit privat. Madhësia e tregut të kombinuar të integruar po ashtu ofron hyrje më të lehtë të furnizuesve të rinj dhe kapacitet më të mirë absorbues të gjenerimit nga burimet e ripërtëritshme të energjisë (BRE)”, thuhet në njoftim.
“Kjo platformë tregtimi është një hap i madh përpara në krijimin e tregut rajonal të energjisë të Ballkanit Perëndimor. Nga efikasiteti i saj do të përfitojnë përfundimisht konsumatorët e Kosovës dhe Shqipërisë por përfundimisht i tërë rajoni. Gjatë kohës me sfida të shtuara të energjisë, jemi të kënaqur me progresin që ALPEX-i ka bërë dhe falënderojmë homologët tanë nga Shqipëria për kontributin dhe mbështetjen e tyre”, citohet të ketë thënë Ymer Fejzullahu, kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të ZRRE-së.
Edhe
Kosova hyn në tregun e “Një ditë përpara” në Bursën Shqiptare të Energjisë
Sipas njoftimit lansimi i ALPEX-it do të kontribuojë në përpjekjet e Bashkimit Evropian (BE) për krijimin e tregut unik pan-evropian të energjisë elektrike për të plotësuar kërkesën dhe dorëzimin e furnizimit të energjisë në tregje në mënyrë efektike. “Përmes zhvillimit të tregut të integruar një-ditë-para në gjithë BE-në, vendet mund të blejnë apo shesin energji elektrike me ‘një klikim’ pa marrë parasysh vendndodhjen gjeografike. Duke u bashkuar me BE-në, vendet jo-anëtare të BE-së po ashtu mund t’i bashkohen tregut të energjisë elektrike të BE-së dhe përfitojnë nga platforma tregtuese”, thuhet në njoftim.
Javën e kaluar, kur në Kuvend është shqyrtuar Strategjia e energjisë 2022-2031, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë integrimi i tregut me Republikën e Shqipërisë është prioritet i lartë dhe veçanërisht i rëndësishëm për shtetin tonë. Hapi i parë dhe më i rëndësishëm në këtë drejtim, sipas saj, do të jetë funksionalizimi i plotë i bursës shqiptare të energjisë, pra bursës së përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cila ka thënë se pritet të ndodh në vitin 2023.