Kosova dhe Izraeli janë të gatshme të zgjerojnë e thellojnë bashkëpunimin, është thënë nga takimi që kryeministri Albin Kurti ka pasur në Prishtinë me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka falënderuar Izraelin për njohjen e Republikës së Kosovës, ndërsa ambasadorja izraelite e ka ftuar Kurtin për vizitë në Izrael.
“Ajo shtoi se ndonëse nuk kemi pasur marrëdhënie diplomatike, njerëzit tanë kanë qenë në kontakt me njëri-tjetrin”, sipas komunikatës.
“Në këtë takim u konfirmua gatishmëria e të dy shteteve për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin. U bisedua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, bujqësisë, arsimit dhe kulturës. Kryeministri Kurti theksoi se me stabilitetin institucional është e mundshme që të planifikojmë më mirë e për periudha më afatgjata”, thuhet më tej në njoftim.
Në fund është bërë e ditur se në takim është biseduar edhe për potencialin e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK). Kurti ka thënë se digjitalizimi është ndër objektivat në programin e Qeverisë, “ndërsa agjenda e re digjitale do të jetë një nga pikat kryesore të strategjisë së re kombëtare të zhvillimit”.
Izraeli është shteti i fundit që ka njohur Kosovën. Marrëveshja u arrit në shtator të 2020-s, pas zotimeve që Kosova dhe Serbia nënshkruan në Washington. Ndërkaq më 1 shkurt 2021, u zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike ndërshtetërore.
-
Kurti e vlerëson “zhvillim pozitiv” heqjen e vizave me Izraelin
-
Kosova dhe Izraeli me marrëveshje për heqjen e vizave
-
Kurti dhe ambasadorja izraelite diskutojnë për organizimin e një Forumi Ekonomik
-
Kurti: Kosova e hapur për investime serioze dhe partneritete të mëdha infrastrukturore
-
Kurti: Serbia e ka kuptuar më mirë se kurdoherë se jemi shtet