Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova e Austria, nënshkruajnë marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë

Ministri i Financave Bedri Hamza, dhe ministri i Financave të Qeverisë së Republikës së Austrisë Hartwig Loger, sot nënshkruan Marrëveshjen në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë në të ardhura dhe parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies fiskale.

Të dy ministrat, siç njofton komunikata, u shprehën të lumtur për nënshkrimin e Marrëveshjes dhe deklaruan se kjo marrëveshje që po nënshkruajmë sot tregon marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme që kemi si dy shtete mike.

“Jemi të vendosur të ju japim më shumë mundësi bizneseve që të investojnë në dy shtetet tona pa pasur barriera në tatime dhe procedura administrative”, citohet të kenë thënë. “Kjo marrëveshje mundëson po ashtu që administratat tona tatimore të bashkëpunojnë në shkëmbimin e të dhënave në kohë reale në mënyrë që bizneset ta kenë më të lehtë zhvillimin e veprimtarisë së tyre pa burokraci administrative, që menjëherë përkthehet në kosto më të ulët materiale dhe në kursim të kohës në të mirë të bizneseve”, thuhet tutje.

Kosova po vazhdon përmes këtyre marrëveshjeve të krijojë ambient të favorshëm për thithjen e investimeve austriake, duke motivuar bizneset austriake për të investuar në Kosovë.

Po ashtu me këtë rast Ministri Hamza e njoftoj Ministrin Loger për progresin e arritur të Kosovës, trendin e mirë makro fiskal dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet shteti jonë i ri.

Ministri i Financave të Qeverisë së Austrisë z. Loger, shprehi kënaqësinë për takimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes dhe ofroj të gjitha mundësitë për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e integrimit evropian.