Arbëri

Kosova e ’19-s: Lëvizja e lirë, e harruar

Kosovarët e nisën më shpresë 2019-n se do të lëvizin pa viza në Zonën Shengen.

Por shpresa e tyre nuk arriti të realizohej në asnjërin nga 12 muajt e vitit, pasi kosovarët mbetën të ngujuar e me pamundësi për të parë Evropën.

Në shtator kur Kosova iu nënshtrua procesit elektoral, shefi i diplomacisë, Behxhet Pacolli do ta quante vit të liberalizimit 2019, por në fakt, mbeti vetëm një premtim i radhës elektoral.

Por, në gjithë këtë një presion, nuk u dorëzua përballë premtimit të tij, Ramush Haradinaj, i cili deri në ditën e fundit të 2019-s, nuk rreshti së premtuari se liberalizimi do të ndodhë.

I dorëhequri Haradinaj, premtimin e fundit e bëri në fillim të nëntorit, madje edhe u zotua se lëvizja e lirë drejt Evropës do të bëhet pas Kërshëndellave, raporton KTV.

Në fakt në korrik të vitit 2018 Komisioni Evropian kishte konfirmuar për herën e dytë se Kosova kishte përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave.

Porse, kjo çështje nuk arriti të futej asnjëherë në agjendën e ministrave të BE-së, pasi tashmë shtete të fuqishme si Franca nuk po e përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në pikëpyetje do të mbetet edhe 2020, pasi edhe futja në agjendë e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën në Këshillin e Ministrave nuk mjafton pasi që 55% e shteteve anëtare që përfshijnë 65% të popullsisë së BE-së duhet të votojnë pro heqjes së vizave për Kosovën.


Lexoni edhe: 

Kosova e ’19-s: Taksa dialog-prishëse [video]


Duke marrë parasysh votat në Këshillin e Ministrave dhe faktin qe ende pesë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën e edhe kundërshtimin e shteteve si Franca dhe Holanda, heqja e vizave për kosovarët edhe në vitin 2020 pritet të jetë sfiduese.

Të mbetur pa liberalizim, politika kosovare do të merrte shuplakën e radhës kësaj radhe nga vendet e Ballkanit që u riorganizuan pa Kosovën për një “Mini-Shengen” ballkanik.

Më 10 nëntor, liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pa pjesëmarrjen e Kosovës e miratuan në Ohër një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave, me të cilat synohej të përmirësohej bashkëpunimi rajonal duke përfshirë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Në fakt, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte refuzuar pjesëmarrjen në këtë samit pasi sipas tij, iniciativat e tilla rajonale janë të pakuptimta për aq kohë sa Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

4 ditë para Kërshëndellave, Shqipëria u bë nikoqire e këtij takimi nga ku Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, pati një mesazh për Kosovën, e cila edhe kësaj radhe refuzoi pjesëmarrjen.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli për përfitimet që mund të kenë shtetet që i bashkohen kësaj nisme.

“Kjo nuk shihet vetëm nga ata që nuk duan ta shohin. Pa këtë nuk do të mund të mbijetojmë, sepse jemi shumë të vegjël, jemi kaq të parëndësishëm. Duhet t’i bëjmë tregjet tona”, ka thënë Vuçiq.

Të tri takimet në mes udhëheqësve shtetërorë të vendeve të Ballkanit, të cilët diskutojnë për heqjen e barrierave kufitare për përfitime mes gjashtë vendeve të Ballkanit, janë parë me sy kritik, pikërisht për shkak të pozitës së Kosovës, shtetësia e së cilës nuk njihet nga dy shtete të rajonit.