Arbëri

Kosova e ’19-s: Taksa dialog-prishëse

Dhjetëra zyrtarë evropianë zbarkuan në Prishtinë gjatë 2019-s, me synimin e zbutjes së qëndrimit të qeverisë Haradinaj për të hequr taksën ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të rinisnin dialogun e ndërprerë, për shkak të taksës doganore.

Kryeministri Haradinaj nuk u zmbraps nga qëndrimi i tij për ta pezulluar taksën qoftë përkohësisht, qëndrim të cilin e mbajti deri në ditën e fundit të qeverisjes së tij.

Në gusht, kur qeveria Haradinaj ishte në dorëheqje, vendet e QUINT-it tentuan që përmes një letre t’u bëjnë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë të rinisin bisedimet.

Por, këtu marrëveshja përfundimtare është kërkuar si kompromis nga të dyja vendet, e paraprakisht, heqje e taksës nga Kosova e nga Serbia, ndërprerje të fushatës për heqje të njohjeve, raporton KTV.

Në fakt, Kosova në fund të 2018-s kishte krijuar një ekipi negociator, roli i të cilit thuhej të ishte gjithë përfshirja politike në dialogun me Serbinë, në krye të të cilit ishte Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Por, ky ekip nuk e mori asnjëherë përkrahjen e opozitës edhe për më tepër, udhëtoi vetëm pak herë në drejtim të Brukseli, herë në mënyrë të fshehur, e herë publikisht.

Negociatorët e rinj u shpallën jokushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Kushtetuesja kishte vlerësuar se Ligji për dialogun dhe vetë ekipi është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutën, Qeverisë dhe Kuvendit.


Lexoni edhe: 

Kosova e ’19-s: Familjarisht në punë shteti [video]


Ekipi negociator i PAN-it, do të mbahen mend për harxhimin e mijëra eurove nën emrin e shpenzimeve për biletat të aeroplanit, akomodim, paga dhe punëtori.

Ai u kritikua vazhdimisht nga opozita, e cila kërkonte po ashtu, të mbajnë përgjegjësi penale për gjitha shpenzimet e bëra gjatë atyre muajve.

Sidoqoftë, KTV-ja gjeti se si në Zyrën e Koordinatorit Administrativ, ishin punësuar militantë dhe bashkëpartiakë të Nismës dhe PSD-së, në mesin e të cilëve edhe nipi i Fatmir Limajt dhe tezaku i Shpend Ahmetit.

Dialogu edhe tash është i bllokuar, por një vit nga vendosja e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, njohës të tregut kanë vlerësuar efektet pozitive dhe negative të saj.

Importi i produkteve serbe, një vit pas vendosjes së taksës, ka rënë për 99 për qind.

Derisa vitin e kaluar Serbia ka shitur produkte në Kosovë, në vlerë prej 395 milionë eurosh, një vit pas vendosjes së taksës prej 100 për qind, ajo ka eksportuar vetëm 3.3 milionë euro mallra.

Rënie vlen edhe për produktet nga Bosnja e Hercegovina.

Taksa, e cila nga 10 sa ishte fillimisht është rritur në 100 për qind, sipas kryetarëve të odave ekonomike në Kosovë, përveç përfitimeve, ka pasur edhe efekte negative.

Këtu përmendet se për bizneset ka qenë sfidë përshtatja në treg pas vendosjes së taksës, por disa pasoja i kanë vuajtur edhe vetë konsumatorët.