Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të shtunën se ka dërguar mostra në Holandë për një rast të dyshuar me linë e majmunit.
Sipas njoftimit të MSH-së, më 3 qershor në Klinikën Infektive është raportuar për një rast të dyshimtë me linë e majmunit. Pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit. Ai është në gjendje stabile.
“Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSH në Holandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara. Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK”, thuhet në njoftim.
Lija e majmunit është shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e botës. Ajo e ka origjinën nga kontinenti i Afrikës, megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se për momentin nuk ka nevojë për alarmim.
Është një infeksion i rrallë viral, i cili zakonisht është i butë dhe nga i cili shumica e njerëzve shërohen brenda disa javësh, sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë së Madhe.
Virusi nuk përhapet lehtë midis njerëzve dhe rreziku për publikun e gjerë thuhet të jetë shumë i ulët.
Nuk ka një vaksinë specifike për linë e majmunit, por një vaksinë kundër lisë ofron 85% mbrojtje pasi të dy viruset janë mjaft të ngjashëm.