Mostra e të dyshuarit të parë në Kosovë për infektim me linë e majmunëve është dërguar në Holandë. Nga Klinika Infektive nuk kanë dhënë më shumë detaje, derisa në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se pacienti që dyshohet se është infektuar, është izoluar
Një 69-vjeçar nga Komuna e Dragashit është i dyshuari i parë i infektuar me linë e majmunëve. Mostrat e marra nga ai, janë dërguar për ekzaminim në Holandë, kanë bërë të ditur institucionet e shëndetësisë të shtunën.
Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se pacienti është hospitalizuar në Klinikën Infektive të premten dhe gjendja e tij është stabile.
“Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, me datë 3 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë me linë e majmunëve (Monkeypox). Pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga Komuna e Dragashit. Po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike e pacientit dhe gjurmimi i kontakteve”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se krahas mostrave të dërguara në laboratorin referent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë duke u pritur edhe rezultatet e tjera laboratorike.
“Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja njoftojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, se për çdo informatë të re, opinioni publik do të informohet në kohë reale, dhe se situata është e qetë dhe stabile”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga informacionet e ndara më parë nga institucionet shëndetësore në vend, thuhet se lia e majmunëve transmetohet nëpërmjet kontaktit të ngushtë ose kafshëve të infektuara dhe se simptomat janë ethet, skuqja dhe ënjtja e nyjave limfatike. Në njoftimin e bërë nga Ministria Shëndetësisë, në fund të muajit maj, është thënë se kanë përgatitur manualin me rekomandime dhe masa për institucionet shëndetësore sa i përket sëmundjes së lisë së majmunëve.
Nga informacionet e ofruara nga Instituti i Shëndetësisë Publike thuhet se lia e majmunëve është sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë.
“Lia e majmunëve transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin. Virusi i lisë së majmunëve transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara si shtrati”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së të datës 23 maj.
Derisa konsiderohet si infeksion i rrallë viral, zakonisht joagresiv, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka theksuar se përveç kujdesit nuk ka nevojë për alarmim. Deri më tani me linë e majmunëve janë konfirmuar qindra raste në Evropë, SHBA, Kanada, Australi dhe Izrael.