Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova akuzon Serbinë për “mosdurim nacional” në Luginë

Është pezulluar premiera e filmave “Heshtje vret” dhe “I pabesi”, që është planifikuar të shfaqen në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc. Kjo u ndërmor, pasi autoritetet serbe arrestuan drejtorin e këtij institucioni, Jeton Ismaili. Ministri i Kulturës së Kosovës, Hajrullah Çeku, e akuzoi Serbinë për “mosdurim nacional” në Luginë. Edhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se ky veprim përbën sulm ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka deklaruar të shtunën se arrestimi që Serbia ia bëri një ditë më parë drejtorit të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili, është përgënjeshtrimi më i madh se ky shtet ka ndryshuar.

Të premten, Ismaili u arrestua nga policia serbe për shkak të shfaqjes së filmave të financuar nga Qeveria e Kosovës. U arrestua edhe njëri nga aktorët shqiptar që merr pjesë në film. Ata janë liruar të shtunën, por shfaqja e filmave është shtyrë për kohë të pacaktuar.

Ministri Çeku ka thënë se politizimi edhe i artit nga Serbia dëshmon se ky shtet nuk do të ndryshojë kurrë.

“Pa asnjë motiv konkret, e madje duke e paragjykuar përmbajtjen e filmave, autoritetet serbe ndalojnë shfaqjen e filmave deri në një vendim të radhës. Ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mosdurim nacional. E për fat të keq, ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë”, ka shkruar ministri Çeku. “Pikërisht politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar, apo se mund të ndryshojë”.

Çeku ka thënë se ky projekt është njëri nga 78 projektet që Qeveria e Kosovës i mbështeti financiarisht përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar. Sipas tij, projektet bartnin aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin, avancimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës.

Edhe Filmat shqiptarë në jug të Serbisë: Së pari prokurori, pastaj publiku Kulturë Filmat shqiptarë në jug të Serbisë: Së pari prokurori, pastaj publiku

Edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shkruar në Twitter se Serbia duhet të ndalojë menjëherë provokimet për eskalim të situatës.

“Përdorimi i politikave represive të Millosheviqit ka dështuar në të kaluarën. Do të dështojë përsëri. Shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të jenë të lirë të shikojnë filma në gjuhën e tyre”, ka shkruar ai.

Edhe në Luginë të Preshevës, akti është kualifikuar si sulm ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve.

“Filmat nuk do të mbahen deri me një kohë të pacaktuar. Viti 2023. Vendi Bujanoc. Ballkani Perëndimor. Policia dhe shërbimi në aksion. Qëllimi: Sulm ndaj kulturës, traditës e identitetit kombëtar Autorët gjysmë të njohur”, ka shkruar në Facebook deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, pasi ka njoftuar se është liruar nga paraburgimi drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc.

Ai ka thënë se është e paqartë pse ka pasur kaq angazhim nga policia serbe për të ndaluar dy filmat e aktorëve shqiptarë pa e ditur përmbajtjen e tyre.

Edhe Çeku për zhvillimet në Bujanoc: Përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar Arbëri Çeku për zhvillimet në Bujanoc: Përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar

“I paqartë është motivi i angazhimit kaq të madh të policisë në Bujanoc për të marrë në bisedë informative dhe për të ndaluar premierën e dy filmave të aktorëve shqiptarë një ditë para se ata të shfaqen. Edhe më e paqartë është frika që ata kanë nga përmbajtja e filmave që as nuk i kanë parë”, ka shkruar ai. “Parandaluan premierën për pretendimin rreth përmbajtjes në vend që të lejonin që përmbajtjen ta mësojnë nga premiera. ‘Heshtje vret’ dhe ‘I pabesi’ janë emrat e dy filmave të ndaluar. E emrat e tyre sikur na dërgojnë edhe porosi”.

Shqiptarët në Luginë, territor me tri komuna në jug të Serbisë, nuk kanë të drejtë as ta ngritin flamurin kombëtar, ndërkaq prej vitesh janë ankuar për proces spastrimi etnik, nëpërmjet pasivizimit të adresave.