Arbëri

Kopjimi i arritshëm

Semimaturantët i janë nënshtruar Testi të Arritshmërisë, në gjithë Kosovën. Edhe këtë vit u publikuan në rrjete sociale pyetjet e testit që vlerëson njohuritë e nxënësve, të fituara gjatë shkollimit 9-vjeçar. Vetë nxënësit pranuan mundësinë e kopjimit, e ministrja Arbërie Nagavci ua faturoi autoriteteve lokale përgjegjësinë për rrjedhjen e pyetjeve

Semimaturantët iu nënshtruan të martën pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, përgjigjet e të cilit kanë mundur të kopjoheshin, pasi ato u shpërndanë në këtë grup të hapur në Viber.

Përgjigjet e Testit u shpërndanë edhe në platforma të tjera sociale, sikurse edhe në vitet paraprake.

Një nxënëse kërkon nga grupi që t’i tregojnë se kur është zhvilluar Beteja e Kosovës. Përgjigjja për këtë pyetje i mbërriti brenda 5 minutave nga një person tjetër.

E një tjetër person i dërgon përgjigjet e grupit “C” në lëndën e gjeografisë.

Art Pireva është nxënës në shkollën “Pjetër Bogdani”. Ai përjashtoi nevojën për kopjim, pasi tha se pyetjet ishin fare të lehta.

“Mundësi të kopjojmë kemi pasur, por s’ka qenë diçka që është dashtë të kopjojmë pasi kanë qenë pyetjet shumë të lehta. Kanë qenë në ekstrem logjike”, ka thënë Pireva.

Nxënës të shkollave të ndryshme folën për administrim jo të njëjtë të procesit, meqë në disa u lejua bashkëbisedimi mes nxënësve e në disa jo.

Semimaturantja Ede Zeka tregoi se gjatë procesit iu është lejuar të bashkëbisedojnë me njëri-tjetrin.

“Bashkëbisedime të lehta, të shkurta dhe jo të shpeshta. Diçka ndoshta nëse nuk ke kuptuar ose nuk e ke ditë si ta plotësisht formularin, fletën e kuqe që i thonë, por jo strikt në atë formën që mos me të lënë me bisedu diçka të shkurtë me shoqërinë”, ka thënë Zeka, e cila është nxënëse e shkollës “Pjetër Bogdani”. “Kanë qenë shumë bashkëpunues”.

E nxënësja e shkollës “Naim Frashëri”, Lira Gjakova, ka thënë se në klasën ku ajo ka qenë administratorët janë treguar më të rreptë.

“Kanë qenë strikt, por normal bisedimet bëhen, por s’kemi mundur të kopjonim se i kemi pasë variantet e testeve A, B, C, D”, ka treguar ajo.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e pranoi se menaxhimi nuk ishte në nivelin e duhur e përgjegjësinë për rrjedhjen e pyetjeve në Testin e Arritshmërisë ia faturoi nivelit komunal.

“Është e vërtetë që për shkak të menaxhimit jo mjaftueshëm të mirë, ndoshta edhe për shkak të gjetjes së mënyrës nga nxënësit, ka edhe rrjedhje të testit, por si ministri kemi ndërmarrë disa veprime. E përmenda edhe Ligjin e Maturës... Ne kemi shtuar numrin e administruesve, ndërsa sa i përket Testit të Arritshmërisë është kompetencë e komunave”, ka thënë Nagavci në një konferencë për media.

Në ditën e parë të këtij testi, mbi 23 mijë nxënës i matën njohuritë në lëndët Gjuhë Amtare, Gjuhë Angleze, Histori dhe Gjeografi.

Testi nuk ka një prag të kalueshmërisë, por varësisht nga rezultati i fituar, nxënësit orientohen në arsimin e mesëm të lartë.

Pjesa e dytë e testit do të mbahet më 11 korrik, në lëndët matematikë, informatikë, fizikë, kimi dhe biologji.