Një muaj pas dakordimit për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur në Ohër, Brukseli ende nuk e ka publikuar përbërjen e Komitetit të Përbashkët të Monitorimit, i cili duhet të mbikëqyrë zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes. Palët kanë pasur mospajtime edhe rreth kësaj pike - Kosova ka propozuar që ekipet të jenë të ndryshme nga kryenegociatorët, ndërsa Serbia e do kryenegociatorin si monitorues
Të martën bëhet një muaj nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit, e ku afati i parë që do të duhej përmbushur është ai për themelimin e një Komiteti të Përbashkët Monitorimi, i kryesuar nga Bashkimi Evropian. Më 18 mars Kosova dhe Serbi janë dakorduar që brenda 30 ditësh ta themelojnë mekanizmin që duhet ta mbikëqyrë zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes.
As Bashkimi Evropian e as Qeveria e Kosovës nuk kanë ofruar sqarime të hënën nëse është finalizuar përbërja e kësaj strukture.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar këtë muaj se Kosova ka propozuar që ekipet të jenë të ndryshme nga kryenegociatorët, ndërsa Serbia e do kryenegociatorin si monitorues.
Emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të dielën se këtë javë kanë punuar në dokumente të cilat i ka quajtur të rëndësishme për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi. Por nuk e ka përmendur edhe Komitetin e Monitorimit. Po ashtu ka shprehur shqetësimin lidhur me situatën e sigurisë në veri, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave.
“Diskutuam zhvillimet e fundit në dialog dhe situatën rreth targave, si dhe shkëmbyem shënime për zgjedhjet e ardhshme dhe zhvillimet e tjera në veri të Kosovës. Gjithashtu pata mundësinë ta informoj përfaqësuesen speciale të sekretarit të përgjithshëm për Kosovën dhe shefen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Caroline Ziadeh, për progresin në dialog përpara konferencës së saj të rregullt në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, shkroi Lajçak.
Për rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, nuk duhet të ketë zbatim të pjesshëm dhe me vonesa.
“Kemi kaluar dy vjetët e fundit duke negociuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Më 18 mars në Ohër, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, shpalli zyrtarisht marrëveshjen. Ajo që është rënë dakord tani duhet të zbatohet – plotësisht dhe menjëherë. Asnjë zbatim i pjesshëm; pa vonesa”, tha Kurti.
Korrespodenti i KOHËS në Bruksel thotë se ende nuk kemi shenja të qarta se implementimi do të shkojë sipas pritjeve.
“Sot për shembull është dashur të skadojë afati për formimin e një komisioni i cili do të monitoronte implementimin e marrëveshjeve, e në krye të atij komisioni do të duhej të ishte Bashkimi Evropian. Por ende nuk ka reagim nga BE-ja ose konfirmim se kjo ka ndodhur apo jo. Nëse dita e mirë shihet në mëngjes, atëherë ky muaj i parë pas arritjes së marrëveshjeve nuk lë të besojmë se mund të ketë një përparim të shpejtë në implementimin e asaj që palët, sipas BE-së, kishin rënë dakord në Ohër”, tha Palokaj.
Sipas Palokajt, nuk ka gatishmëri të njëjtë nga të gjitha palët për implementimin e marrëveshjeve, e po ashtu nuk ka as interpretim të njëjtë të detyrimeve që kanë dalë nga ajo.
“Bashkimi Evropian duket se nuk ka fuqi të imponojë zbatim në ndonjë afat të caktuar kohor, prandaj insistojnë se nëse palët nuk e zbatojnë, do të humbin, do të humbin shumë në rrugëtimin evropian, si dhe në reputacionin e tyre. Por mbetet e paqartë nëse kjo mjafton të jetë si kërcënim i cili do t’i detyrojë palët që t’i zbatojnë obligimet që kanë marrë në këto marrëveshje”, tha Palokaj.
Mbështetur në Udhërrëfyes, palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i implementimit do të bëhet pjesë kyç e proceseve të tyre të anëtarësimit në BE.