Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konjufca: Nuk do të bëjmë kompromis me gjakun e të rënëve në luftë

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe dhe ka përkujtuar masakrën e tmerrshme të 28 marsit të vitit ‘99 ndaj familjeve Bogujevci e Duriqi.

“Kjo është më e pakta që mund të bëjmë ne si përfaqësues të institucioneve, për shkak se është obligim elementar përkujtimi që ta kryejmë këtë pjesën e ndarjes së pikëllimit pikërisht në datat kur kanë ndodhur këto masakra në Kosovë, edhe familjes Duriqi, edhe familjes Bogujevci më 28 mars të vitit 1999, prej njësive të quajtura “Shkorpionët”, të cilat ishin pjesë e drejtpërdrejtë e Ministrisë së Mbrojtjes të shtetit të Serbisë. Prandaj këtu nuk ka asnjë dilemë se kush e ka përgjegjësinë. Në rastin tuaj është drejtpërdrejtë shteti i Serbisë me njësite, me emra, kush kanë qenë në ato njësite të cilët i kanë kryer masakrat ndaj familjes suaj”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se ajo që ka pretenduar Serbia se kinse po i gjykon disa kriminelë të luftës, ka qenë vetëm sa për sy e faqe.

“Ata bile, edhe u patën liruar para nja 3-4 viteve. Kjo tregon se shteti serb jo vetëm që nuk ndjenë kurrfarë pendese për atë që e ka bërë, por i trajton këto sikur thuajse të ishin disa krime kështu ordinere, të përditshmërisë, e jo masakra. Pra, vetëm shikojeni aty është Albioni dy vjeçar, çfarë krimi i përbindshëm, cili njeri mund ta bëj këtë krim që të ngrejë dorë kundër një fëmijë dy vjeçar. Të tillë janë më shumë se 1000 fëmijë të vrarë prej forcave policore, ushtarake, paramilitare të Serbisë në Kosovë”, ka theksuar ai.

Konjufca më tej ka thënë se pikërisht për shkak të kësaj dhe të këtij pikëllimi, institucionet janë të vendosura që ta kërkojnë drejtësinë pa pushim.

“Për arsye se, shpirtrat tuaj, zemrat tuaja, por edhe martirët që i kemi humbë do të mund të prehehen të qetë vetëm atëherë kur drejtësia të vijë në vend”, ka potencuar ai.

Edhe Konjufca: Pa zbardhjen e krimeve të luftës as të rënët nuk prehen të qetë Arbëri Konjufca: Pa zbardhjen e krimeve të luftës as të rënët nuk prehen të qetë

Konjufca ka thënë se kjo i bënë edhe më të vendosur si institucione që të thonë se kurrë nuk do të bëjnë kompromis në atë që është në themelin e shtetësisë dhe lirisë sonë.

"Në themelin e lirisë sonë është gjaku i familjarëve tuaj, gjaku i fëmijëve tuaj, të cilët i ka humbur Kosova për shkak të gjenocidit të Serbisë”, ka theksuar Konjufca.