Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konjufca kërkon presion më të madh ndërkombëtar ndaj Serbisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Në fjalimin e tij në kuadër të Konferencës së 11-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve të Evropës Juglindore në Budapest, Konjufca ka thënë se duhet unitet panevropian kundrejt rreziqeve që rajoni dhe Evropa po përballen, “kur agresioni rus në Ukrainë po vazhdon, sikurse edhe përpjekjet për të përhapur vatra të reja konflikti dhe krize”.

“Në këtë kontekst, denoncova edhe një herë përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës në shtator të këtij viti dhe njëherësh i bëra thirrje Bashkimit Europian të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, thelbi i të cilit normalizim duhet të jetë njohja reciproke si dy subjekte sovrane dhe të pavarura, ashtu edhe siç përcaktohet në Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar ai në Facebook.

Konjufca ka thënë po ashtu se Kosova e sheh BE-në si bashkësi politike ku respektohen vlerat demokratike, liritë dhe të drejtat, sovraniteti dhe integriteti territorial i anëtarëve të saj.