Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani.
Ai akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare.
Në vendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar dhe të pambështetur në gjendjen reale kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të ushtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit Ramadani, avokati Naser Sopjani.
Sipas këtij vendimi, gjykata ka konstatuar se pretendimet e mbrojtjes janë të paqëndrueshme, të paargumentuara dhe të pambështetura në ndonjë arsye konkrete.
Tutje, në vendim thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes se në rastin konkret nuk janë përmbushur kushtet esenciale të veprave penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”.
“Pas shikimit me kujdes të shkresave të lëndës gjykata konstatoi se duhet të refuzohet kërkesa për hedhjen e aktakuzës e cekur më lartë, si e pa mbështetur në gjendjen reale dhe në provat e bashkëngjitura, ngase provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i akuzuari i ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale, ndërsa provat e propozuara në aktakuzë dhe mbrojtjen e tyre gjykata do t’i vlerësojë në shqyrtimin gjyqësor, për çka kërkesa për hedhjen e aktakuzës është e pabazuar”, thuhet në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ramadani, avokati Naser Sopjani ka thënë se vendimi i shkallës së parë nuk është i drejtë.
“Vlerësojmë se ky vendim i gjykatës nuk është i drejtë dhe nga ana e saj nuk janë analizuar në mënyrë të plotë argumentet e paraqitura në kërkesën e mbrojtjes”, tha ai.
Deputeti Ramadani është kandidat i VV-së për kryetar të Ferizajt. /BetimipërDrejtësi