Më 30 Gusht, Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me forcë nga regjimet totalitare, Shqipëria mbetet ende një “varr masiv” i të paktën 6 mijë shqiptarëve që i zhduku regjimi komunist ’45-91.
Sipas shifrave zyrtare janë 35 varre masive të përdorura nga sigurimi i shtetit në gjithë vendin dhe akoma nuk është bërë asnjë shvarrim zyrtar për gjetjen e tyre dhe pse ICMP, organizata ndërkombëtare që merret me identifikimin e të zhdukurve, ka hapur zyrë në Tiranë për këtë gjë që në vitin 2015. Flet për Mapon z.Luigj Ndou, kreu i Marrëdhënieve me Qeveritë për Shqipërinë dhe Kosovën pranë ICMP-së.
“Përmes Gjurmuesit te Vendvarimeve, 11 lokacione të mundshme janë raportuar në ICMP. Në 24 lokacione të tjera të mundshme janë raportuar në Institutin Shqiptar për Integrimin e të Përndjekurve Politikë (IIPP) dhe Autoritetit për hapjen e dosjeve të epokës komuniste. Është e rëndësishme të theksohet se informacioni i dhënë, kryesisht nga familjet, mbi varret e mundshme duhet të hetohet siç duhet nga autoritetet në mënyrë që të vërtetojnë faktet.
Këto vende janë të vendosura në të gjithë Shqipërinë, nga Saranda në Shkodër, dhe më së shpeshti janë afër kampeve të burgjeve, objekteve ushtarake, lumenjve dhe vendeve të ngjashme. Siç kam thënë tashmë, të gjitha pretendimet e besueshme në lidhje me varret e mundshme duhet të hetohen nga autoritetet para se të fillojë ndonjë punë në terren”- thotë Ndou në një intervistë të gjatë për gazetën Mapo.
Që të nisë puna për zhvarrimet dhe identifikimin e njerëzve të zhdukur nga komunizmit duhet një vullnet politik nga institucionet shqiptare, por mbi të gjitha duhet të që vetë familjarët të vënë në lëvizje sistemin.
Ndou thotë se “Kjo është hera e parë që Institucionet shqiptare i janë drejtuar çështjes në një mënyrë sistematike, duke marrë kërkesa nga familjet për të filluar hetimet e personave të zhdukur. Në këtë drejtim, që nga nëntori i vitit 2018 rreth 610 raste të personave të zhdukur janë raportuar në ICMP (Zyra në Tiranë ose përmes Qendrës së Hetimit Online), Institutit për Integrimin e të Përndjekurve politikë dhe Autoritetit Shqiptar për hapjen e dosjeve te epokes komuniste. Shumica dërrmuese e këtyre rasteve u raportuan në IIPP. Ndërkohë, ICMP mblodhi 42 mostra referimi familjare në lidhje me Projektin pilot të Dajtit dhe Ballsh. Sidoqoftë, Volumi i problemit është shumë më i madh duke pasur parasysh të dhënat zyrtare.
ICMP ka qenë në gjendje të rishikojë të dhënat zyrtare të autoriteteve shqiptare dhe është e rëndësishme të përmendet se sipas të dhënave zyrtare, gjatë diktaturës 5,548 individë u ekzekutuan me ose pa gjyq dhe trupat e tyre nuk u kthyen kurrë në familjet e tyre. Gjithashtu gjatë diktaturës, 987 individë vdiqën në burgjet në Shqipëri. Për më tepër, 619 raste të personave të ekzekutuar janë në shqyrtim nga autoritetet shqiptare; këto janë raportuar nga familjet, por nuk kanë përmbushur kriteret ligjore për regjistrim bazuar në Ligjin për Kompensimin.
Këto shifra tregojnë rrugën e gjatë përpara për autoritetet nëse duan të merren me çështjen e të zhdukurve në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe sistematike. Dua të shfrytëzojë këtë mundësi që edhe njëherë ti bëj thirrje të gjithë familjarëve të cilët pretendojnë se të afërmit e tyre janë ekzekutuar në Dajt dhe atyre familjeve të afërmit e të cilëve kanë vdekur në Burgun e Ballshit që të vijnë në zyrën e ICMP në Tiranë (Rruga Abti Toptani) dhe të japim kampionët e gjakut për analizat e ADN-së në mënyrë që të kemi sa më shumë viktima të identifikuara.”
Për të mësuar më tepër se si do të bëhen zhvarrimet, cilat do të jenë zonat ku do të nisin së pari këto zhvarrime dhe çfarë roli po luan prokuroria në këtë proces lexoni nesër në print intervistën e plotë./mapo.al
{gallery}