Arbëri

Komuniteti LGBTI kërkon trajtim të barabartë nga shteti e familja

Kjo zonjë e moshuar mund edhe të mos e ketë fare idenë se cili është qëllimi i këtij marshimi nëpër kryeqytet.

Megjithatë, ajo ka shijuar tingujt e muzikës dhe ka vallëzuar bashkë me të tjerët gjatë Paradës së Krenarisë, që organizohet në përkrahje të komunitetit LGBTI.

Persona të shumtë marshuan mesditën e së enjtes nga sheshi “Skënderbeu” tek katedralja “Nëna Terezë”, për të përfunduar në platenë e Pallatit të Rinisë, ku edhe u mbajt një koncert.

Këtë vit fjalim mbajti vetëm Shemsije Qerkini, e cila tha se ndihet krenare që është nëna e një djali që i takon këtij komuniteti, teksa u kërkua trajtim i barabartë nga shteti e familja.

“Qëndroj sot para juve si një nënë krenare e një djali ‘gay’. Çdo fëmijë, vajzë apo djalë, rehatia e çdo fëmije është më e vlefshme se çdo gjë tjetër në botë. Unë jam shumë krenare për djalin tim dhe për seksualitetin e tij. Jam krenare edhe për çdo person tjetër LGBTI, për pranueshmërinë që kanë për çdo person tjetër”, tha Qerkini.

“Na tash vetëm se e kemi kuptu që komuniteti LGBTI gjithmonë është në listën e fundit të prioriteteve të shtetit të Kosovës, edhe kësaj here kemi qenë të dëshpëruar me vendimet të cilat kanë dashtë me u marrë sa i përket Kodit Civil”, shtoi Lend Mustafa, organizator.

Këtij marshi i janë bashkuar deputetë, ambasadorë të huaj, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe kryetari i kryeqytetit, por jo edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e kryeministri Albin Kurti.

“Policia e Kosovës ka qenë e kyçur pothuajse në të gjitha aktivitetet dhe deri tani nuk kemi pasur ndonjë problem, përveç një incidenti të vogël që ka ndodhur te Hotel Grandi, që është gjuajtur një mjet piroteknik, mirëpo nuk ka pasur diçka që është serioze”, u shpreh Samedin Mehmeti, drejtor i Policisë.

Java e Krenarisë është ngjarje në të cilën përmes festës bëhet thirrje për pranimin e personave homoseksualë, biseksualë, transgjinorë dhe të tjerë në shoqëri.