Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komunat e prindërit: MASHTI ta përmbushë detyrën ligjore për pajisje të nxënësve me libra

Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, i është bërë thirrje që ta përmbushë detyrën ligjore për të pajisur me libra të gjithë nxënësit.

Pas dy javëve mësim, ende të gjithë nxënësit nuk janë pajisur me tekste shkollore.

Kritika për vonesën po ka nga prindërit, të cilët thonë se kjo vonesë vetëm sa po e vështirëson procesin mësimor, që edhe ashtu është problematik për shkak të pandemisë.

Rreth mungesës së librave për nxënësit e klasave të gjashta, shtata dhe të nënta, MASHTI u hodhi fajin komunave, duke thënë se ata kanë qenë të njoftuar qysh në shtator se nuk do të ketë libra të rinj dhe se për këto klasë do të përdoren librat e vitit paraprak.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se Ministria e Arsimit në bazë të legjislacionit në fuqi është përgjegjëse për furnizimin e nxënësve me libra shkollor.

Edhe Shkollat në pritje të katalogut nga MASHTI, paralajmërohen pasoja nëse vonohet Arbëri Shkollat në pritje të katalogut nga MASHTI, paralajmërohen pasoja nëse vonohet

Ai thotë se në katalogët që kanë mbushur DKA-të, kanë njoftuar ministrinë se sa nxënës nëpër klasa mund të pajisen me tekste dhe për sa nxënës ka mungesë të librave.

Sipas tij, është e pakuptimtë që Ministria fajëson komunat për këtë çështje.

“Të gjitha drejtoritë komunale i kanë mbushur këto shënime në katalogun që i është dërguar ministrisë në mënyrë elektronike dhe është sistemi ku në mënyrë automatike dërgohen të dhënat në Ministrinë e Arsimit dhe aty shihet saktë se sa nxënës nëpër klasa mund të pajisen me tekste shkollore dhe për sa nxënës ka mungesë të librave shkollor. Do të thotë Ministria ka qenë e njoftuar dhe këtë ua ka kërkuar komunave. Pastaj problemi është që kjo është e rregulluar me një udhëzim administrativ ku thuhet që librat apo tekstet të barten nga gjenerata në gjeneratë, por problemi është që nuk mund ta obligosh një nxënës t’i kthejë librat. Të gjitha këto janë të faktuara, të argumentuara nga drejtoritë komunale të Arsimit dhe të gjitha këto shënime janë dërguar në ministrinë e Arsimit dhe për këtë arsye ministria është dashur të mendojë rreth kësaj, do të thotë nuk mund t’ua vejë fajin komunave për neglizhencën e vet”, thotë ai.

Ibrahimi deklaron se komunat janë përgjegjëse vetëm për shpërndarjen e teksteve që marrin nga niveli qendror dhe se nuk kanë faj pse Ministria nuk i ka furnizuar qind për qind me libra.

“Komunat i kanë kryer përgjegjësitë të cilat i bien me legjislacionin në fuqi, kurse po e ripërsëris që për tekstet shkollore Ministria është përgjegjëse t’ia sigurojë nxënësve. Tash në një anë a është më mirë të kursehen 3.3 milionë euro, të cilin fakt ne nuk e mohojmë është mirë të kursehen paratë e buxhetit të Kosovës, mirëpo në anën tjetër neve mendojmë që është më e rëndësishme që fëmijët të furnizohen me tekste mësimore, sepse ka prindër që kanë dy apo tre fëmijë dhe një komplet i librave shkollor për një vit mund të shkojë prej 60-80 euro dhe mendojmë në këto kushte ekonomike sa mund të kushtojë për një familje t’i mbajë dy, tre fëmijë në shkollë vetëm për tekste mësimore”, thotë Ibrahimi.

Edhe Viti i ri shkollor nis pa mjetet e Qeverisë për librat Arbëri Viti i ri shkollor nis pa mjetet e Qeverisë për librat

Një vonesë e tillë për furnizim të nxënësve me tekste shkollore vetëm sa do ta dëmtojë edhe më shumë procesin mësimor sipas kryetarit të Këshillit të Prindërve të Prishtinës , Jeton Demi.

Ai thotë se meqenëse procesi mësimor ka nisur me katër javë vonesë, shkaku i pandemisë, nuk kanë pritur që fëmijët do të përballen me mungesë të teksteve shkollore.

“Në këtë situatë që jemi të pandemisë, kur edhe jemi vonuar me fillimin e procesit mësimor , vonesat e mëtejme të furnizimit me libra vetëm do të na dëmtojnë edhe më shumë kur jemi futur në mesin e tetorit tashmë gati me mos furnizim të plotë me libra. Duhet të qartësohet një herë e mirë a do të furnizohen apo nuk do të furnizohen fëmijët me libra, që të ketë organizim dhe planifikim paraprak edhe të strukturave të prindërve që nëse nuk ka furnizim rastet kur prindërit nuk mund t’i blejnë librat të angazhohemi dhe t’i blejmë ne për ta. Por, duhet të bëhet planifikimi me kohë dhe deklarimi i saktë, jo të planifikohet diçka tjetër e të vijmë në këtë situatë ku nuk i kemi librat në shkollë”, tha Demi.

Akuzat në mes MASHTI dhe komunave se kush është përgjegjës për mungesën e teksteve shkollore, Demi thotë se si prindër nuk iu interesojnë arsyetime të tilla, por duan që fëmijët e tyre të kenë tekstet për të ndjekur mësimin.

Edhe MASHTI s’tregon kur do t’i bëjë pagesat për tekstet shkollore Arbëri MASHTI s’tregon kur do t’i bëjë pagesat për tekstet shkollore

“Tashmë na e kanë komunikuar shumë prindër që kërkojnë që ministria të bëjë furnizimin me libra sepse do të jetë e vështirë për ta. Duke qenë se edhe e kanë planifikuar që librat do t’i kenë të siguruar nga ministria e Arsimit apo kushdo qoftë institucion prindërve nuk iu intereson kush i furnizon, po ata e kanë të rëndësishme t’i kenë librat për fëmijët e tyre. Pra, është kërkesë që kjo të ndodh sa më shpejtë, shumica tashmë janë furnizuar, por kemi humbur shumë kohë edhe nuk janë kryer të gjitha furnizimet”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës në korrik të këtij viti i ka ndarë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit katër milionë euro shtesë për blerjen e teksteve shkollore./KSP