Që nga e marta asnjë përgjigje nga Komuna e Prishtinës dhe drejtoritë e saj në lidhje me problemin infrastrukturor në shkollën “Ismal Qemali”, ku ka shpërthyer kanalizimi e ku ishte planifikuar të intervenohej gjatë pushimit veror. KOHA ka dërguar e-maile, mesazhe e ka bërë përpjekje edhe të marrë në telefon drejtorët komunalë, por nuk ia ka dalë. Juristët vlerësojnë se institucionet e kanë obligim të jenë transparente
Tash e tri ditë, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë nuk ka dhënë përgjigje për ankesat e prindërve të nxënësve të shkollës fillore “Ismail Qemali”.
Ata të mërkurën protestuan e fëmijët e tyre, nxënës të klasave të pesta, bojkotuan mësimin, pasi në katin përdhes shpërtheu rrjeti i kanalizimit.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, nuk është përgjigjur në telefon e po ashtu nuk ka kthyer mesazhe e as e-maile që nga e marta lidhur me kushtet infrastrukturore në këtë shkollë.
Mesazhi e emaili i janë përsëritur edhe të enjten.
Pyetje janë nisur edhe në Drejtorinë e Investimeve Kapitale, por KOHA nuk ka marrë përgjigje as nga kjo zyrë.
Juristi Ardian Bajraktari vlerëson se kjo qasje bie ndesh me parimet themelore të institucioneve publike.
“Transparenca është bazë për nivelin qendror dhe atë lokal. Institucionet kanë zyra për media që janë urë lidhëse me publikun, prandaj mospërgjigjja e tyre është mungesë përgjegjësie. Nevojitet shumë më tepër punë për ta respektuar këtë parim sepse është parim për organet e shtetit”, ka thënë Bajraktari.
Sipas Bajraktarit, zyrtarët që nuk i kryejnë detyrat e tyre duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Ata që paguhen për këtë punë dhe nuk e kryejnë, nënkupton se nuk po i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë për të cilat në fakt paguhen nga taksat e qytetarëve. Prandaj, kjo është papërgjegjësi dhe duhet të adresohet tutje si çështje”, ka thënë ai,
E drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali”, Mimoza Krasniqi, tha se kërkesë e institucionit që udhëheq ishte që renovimi në objekt të nisë në qershorin që shkoi. Në renovim do të duhej të përfshiheshin edhe banjat dhe rrjeti i kanalizimit.
“DKA e ka ditur që punimet kemi kërkuar të nisin në qershor, por organizata që ka projektin nuk ka mundur t’i fillojë punimet në atë kohë, ashtu siç kemi dashur ne. Tani renovimet do të bëhen ose në mars, ose në prill. Nuk i dimë arsyet, sepse është projekt gjerman që do të realizohet. DKA i ka shkollat që duhet mu renovu ata vendosin se cilat shkolla duhet të renovohen e para dhe në çfarë kohe. Informacionet më të sakta i merrni në Drejtorinë e Arsimit”, ka deklaruar drejtoresha Krasniqi.
Të martën rrjeti i kanalizimit shpërtheu në përdhese e ujërat e zeza depërtuan edhe në bodrumin e shkollës ku janë katër klasat e pesta.