Ka tri javë që familja e dëshmorit Mehmet Saliuku thotë se po përballet me presionin për ta liruar këtë banesë ku jetoi për 5 vjet.
Banesa që ia kishte ndarë komuna e Drenasit, tani po konsiderohet si e uzurpuar dhe dy vendime i kanë shkuar kësaj familje për lirimin e pronës, raporton KTV.
I fundit vendim thoshte se familja Saliuku duhet ta lirojë atë ta hënën në ora 14 .
Zonja e shtëpisë gjithë ditën ka pritur se dikush do t’i trokasë në derë për ta larguar prej aty edhe me forcë, siç thotë se ia kanë bërë të ditur zyrtarët komunalë.
Saliuku thotë se këtë banesë do ta lironte vetëm nëse komuna ia bën një zgjidhje pasi nuk ka nga t’ia mbajë me 2 fëmijë.
E, zyrtari për marrëdhënie me publikun i komunës së Drenasit ka thënë se jo vetëm për këtë familje, por janë lëshuar gjithsejtë 16 vendime ku ka edhe familje nga minoritetet për lirimin e pronave të uzurpuara.
Ai thotë se tashmë ia kanë bërë një zgjidhje kësaj familjeje.
Por, KTV-ja ka kontaktuar me Minire Saliukun pas kësaj interviste dhe ajo i ka quajtur këto dezinformata të komunës.