Arbëri

Komuna e Prizrenit sërish me transparencë të kufizuar për subvencionet në kulturë, rini e sport

Autoritetet komunale të Prizrenit të enjten kanë nënshkruar kontratat me përfituesit e subvencioneve nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Edhe këtë vit është përmendur vetëm shuma totale e subvencioneve, derisa nuk janë shpalosur të dhënat për mjetet financiare të ndara veç e veç për organizatat joqeveritare kulturore, rinore dhe sportive. Njëherësh nuk janë përfillur kërkesat e bëra në vitet e shkuara nga Rrjeti i Organizatave të Kulturës që për këtë proces të publikohen kriteret e vlerësimit, në bazë të të cilave janë përzgjedhur përfituesit, përshkimi i projektit dhe rezultatet e pritura, shuma financiare e kërkuar me projekt nga OJQ-të dhe shuma financiare e përkrahur nga DKRS-ja. Zyrtarët e lartë komunalë kanë bërë të ditur se marrëveshjet e bëra me OJQ-të mund t’u ofrohen gazetarëve pas protokollimit të tyre.

Pas nënshkrimit të kontratave, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se me thirrjen e sivjetme për subvencione për 170 organizata të shoqërisë civile për kulturë, rini dhe sport janë shpërndarë 420 mijë euro.

“Ka pasur diku rreth 309 aplikime. Komisioni ka bërë vlerësimin e të gjitha dokumenteve. Aplikimet me dokumente të kompletuara dhe që janë brenda suazave të thirrjes publike janë financuar. Por kërkesat janë shumë më të mëdha sesa që kemi në fonde, ngase shumica e organizatave kanë aplikuar për shifrat maksimale që kanë qenë. Ne nuk kemi arritur t’i përmbushim të gjitha kërkesat e OJQ-ve”, ka thënë Haskuka. Ai ka uruar që sivjet aktivitetet të realizohen në terren. “Shpresojmë që sivjet të tejkalohet pandemia dhe aktivitetet të vazhdojnë në mënyrë normale, ngase vitin e kaluar shumica e aktiviteteve janë mbajtur online ose në formë elektronike, ose në vend të aktiviteteve janë publikuar materialet. Sivjet shpresojmë që aktivitetet që janë të parapara me projektet të realizohen në terren”, ka deklaruar Haskuka.

Pasi është pyetur nga gazetarët se kur do të publikohen shumat e subvencioneve të ndara për këto OJQ, ai ka pohuar se pas nënshkrimit të marrëveshjeve bëhet protokollimi i tyre dhe se më pastaj mund të ofrohet qasje për marrëveshjet, shumën dhe aktivitetet e parapara me projektin përkatës.

“Të gjitha procedurat që kërkohen me ligj aplikohen në Komunën e Prizrenit. Për të gjitha 171 organizatat që do t’i marrin mjetet për aktivitetet e parapara me projektet e tyre, marrëveshjet bëhen me ata drejtpërdrejt, se ka raste që edhe nuk pranojnë, për shkak se nuk mundemi me i financu të gjitha aktivitetet që i parashohin. Jemi koncentruar në aktivitetet që hyjnë në suazat e kësaj thirrjeje. Prandaj derisa nuk nënshkruhet marrëveshja me organizatën ajo mbetet lista e përfituesve. Tash pasi të protokollohet marrëveshja çdo gazetar mund të shkojë në DKRS me e marrë marrëveshjen me OJQ-në”, është shprehur Haskuka. Por gazetarët kanë insistuar se kërkesa të tilla janë bërë dhe se nuk janë ofruar të dhënat zyrtare. “Marrëveshja duhet me u dhënë”, është përgjigjur Haskuka.

Në anën tjetër Leotrim Fishekqiu nga “Autostrada Biennale”, organizatë që është përfituese e subvencioneve për këtë vit, ka pohuar se marrëveshja është e mirëpritur, meqë është vazhdimësi e ngritjes së organizatës, si dhe e fondeve të Komunës së Prizrenit.

“Është një paralelizëm, ani pse ne si organizatë po ecim më shpejt. Mirëpo, megjithatë, këto marrëveshje janë të rëndësishme për zhvillimin e projekteve afatgjata, jo vetëm ato ad-hoc”, ka thënë Fishekqiu.

Në të njëjtën kohë ka konfirmuar se kërkesa e RrOK-ut është që të ketë transparencë më të madhe i gjithë procesi.

“Si RrOK jemi komplet duke i shtyrë proceset për transparencë në çdo fushë, jo vetëm të Komunës, por edhe të organizatave. E rëndësishme është që Komuna të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm për transparencë. Megjithatë, është një dialog në zhvillim e sipër. Jemi në dialog, nuk është si përpara që nuk kemi pasur dialog, dhe kjo është e rëndësishme”, ka theksuar ai.

Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren në vitet e shkuara pati shprehur pakënaqësinë për mënyrën e administrimit të thirrjes për subvencione në kulturë nga ana e Komunës së Prizrenit, duke vlerësuar se qeveria komunale është treguar jotransparente sa i përket mënyrës së përzgjedhjes dhe rezultateve finale të thirrjes për subvencione për kulturë.