Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV të martën ka dhënë detaje për planin e komunës për nisjen e procesit të mësimit tërëditor në pesë shkolla. Siç ka thënë ajo, gjithçka është gati për këtë proces e “nëse gjithçka shkon mirë, vitin e ardhshëm shpresojmë ta dyfishojmë numrin”.
Pas katër vitesh, sipas saj, synimi është që të ketë shtrirje në të gjitha shkollat.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAjo ka thënë se për modelin e mësimit tërëditor janë marrë modele ndërkombëtare dhe modeli që ishte provuar në mandatin e ish-kryetarit Shpend Ahmeti. Sipas saj, dallimi kryesor me këtë projekt të planifikuar vite më parë është që atëkohë është synuar që mësimi tërëditor t’i përfshijë nga klasa e parë deri te e nënta, e me planin aktual mësim tërëditor do të kenë klasat nga e para deri te e pesta.
“Këtu ka dallim specifik. E planifikojmë deri në të pestën e pastaj kemi lëvizur fizikisht klasat e 6-ta deri të 9-ta në shkollat afër. Në shkollat ekzistuese s’do të jenë më klasat e para dhe të nënta në të njëjtin objekt. Kemi krijuar më shumë hapësirë dhe është më i mundshëm mësimi tërëditor. I kemi marrë sfidat dhe kemi parë a mund të bëjmë ne më ndryshe. Kemi marrë më shumë staf, mjete, më shumë kushte, kemi siguruar shujta të nxehta. Nga gabimet mësohet”, ka thënë ajo.
Lushaku-Sadriu ka dhënë detaje se sa dhe si do të vazhdohet me procesin mësimor. Sipas saj, fëmijët do të dorëzohen në shkolla para orës 8. “Pastaj do të hahet shujta e mëngjesit e do të vazhdohet me kurrikulën bazë dhe detyrat e shtëpisë. Pastaj është dreka, tërësisht e financuar nga Komuna e Prishtinës dhe pastaj me aktivitete të tjera sportive, artin e muzikën dhe aktivitete tjera... në kuadër të planit të përgjithshëm”, ka treguar.
Sipas saj, të gjitha shkollat në këtë proces do të kenë specifika të ndryshme dhe këshillat e shkollave do t’i zgjedhin aktivitetet.
Është planifikuar që fëmijët e klasave të para dhe të dyta do të rrinë më shkurtë në shkolla se ata nga klasët e treta deri te e pesta. Sipas saj, shkollat s’mund të marrin përgjegjësi për të mbajtur tetë orë fëmijët e klasës së parë.
Lushaku-Sadriu ka thënë se kuzhina qendrore që furnizon kopshtet aktualisht, ka punësuar stafin e nevojshëm dhe ka blerë mjetet e duhura për të kryer shërbimin.
Ajo ka thënë se shkollat do të furnizohen me dollapa në klasë. 90 për qind e detyrave të shtëpisë planifikohet të kryhen në shkolla.
Siç ka thënë ajo, mësimdhënësit do të paguhen shtesë për çdo orë mbi normë e se mësuesve të klasave 3-5 u janë hequr orët e edukatës fizike, artit dhe muzikës, e se këto orë do të mbahen nga profesionistët në orët e pasdites. Ajo ka thënë se ka mësues që janë shprehur të gatshëm që të mbajnë orë shtesë.
Sa i përket vendimit të Ministrisë së Arsimit që prindërit të subvencionohen për të blerë librat shkollorë, Lushaku-Sadriu ka thënë se ky proces do t’i kushtojë më shumë Kosovës se po që se MASHTI do të furnizonte vetë librat. Ajo e ka cilësuar dyfish gabim “përsëritjen e praktikës së gabuar të vitit të shkuar”.
Sistemi tërëditor mësimor do të nisë së zbatuari nga 2 shtatori në shkollat “Faik Konica”, “Xhemajl Mustafa”, “Nazim Gafurri”, “Qamil Batalli” dhe “Shkolla e Gjelbër” në kryeqytet.