Ndonëse për përfundimin e punimeve, por edhe për organizimin e ceremonisë së përurimit të objekti kanë dhënë para prindërit, kontributi i tyre nuk është përmendur në fjalimet e mbajtura nga zyrtarët komunalë dhe nga drejtoresha e çerdhes. E pas ceremonisë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pranuar kontributin e prindërve, vetëm pasi që është pyetur nga KOHA për arsyet e nevojës për investime shtesë, përtej atyre të komunës
Objekti i institucionit parashkollor “Xixëllonjat” në Prishtinë ka marrë pamje të re, pas në të janë ndërmarrë punime të renovimit.
Atë e kanë përuruar të premten zyrtarë të Komunës së Prishtinës, ani se prindërit kanë mbledhur para për ta organizuar edhe këtë ceremoni, por edhe për disa nga investimet e reja.
Në fjalimet e mbajtura në ceremoninë e hapjes, asnjëri prej zyrtarëve komunalë dhe as drejtoresha e institucionit parashkollor, nuk e kanë përmendur kontributin e prindërve.
“Në këtë ditë nuk mund të kaloj këtë fjalim pa falënderuar të gjithë akterët që kanë kontribuar në këtë drejtim, në ndërtesën e këtij institucioni, këtij objekti gjigant, madhështor në radhë të parë Komunën e Prishtinës, Drejtorinë e Arsimit e mbi të gjitha stafin e institucionit të cilët patën durimin, vullnetin dhe përkushtimin të punojnë në kushte edhe të jashtëzakonshme dhe të bëjnë të gjitha përgatitjet e duhura që sot të jemi këtu ë të gjithë së bashku”, ka thënë drejtoresha e çerdhes, Mimoza Morina-Veseli.
Por, sipas një vendimi të institucionit parashkollor “Xixëllonja”, prindërit e kanë krijuar fondin për të përshpejtuar dhe për të përmbushur nevojat e brendshme të objektit të ri.
“Si rezultat i një nisme nga prindërit, u vendos që ata të krijojnë një fond vullnetar për ta mbështetur institucionin, ashtu që të përshpejtojnë dhe përmbushen nevojat e brendshme të objektit të ri, si shtesë e investimeve të bërë tanimë dhe atyre të planifikuara nga Komuna. Me këtë fond parashihet të blihen lodra, mjete të ndryshme për ushqim apo aktivitete të fëmijëve dhe gjësende tjera të nevojshme, të cilat do të përdoren nga fëmijët e të gjitha moshave”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga drejtoresha e çerdhes.
Pas ceremonisë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pranuar kontributin e prindërve, vetëm pasi që është pyetur nga KOHA për arsyet e nevojës për investime shtesë, përtej atyre të komunës.
“Investimet kurrë nuk janë të bollshme për fëmijët tanë. Gjithmonë mundet me qenë mirë e më mirë, edhe janë të mirëseardhura. Këto nuk ndodhin vetëm këtu, po faktikisht këtu nuk ka ndodhur kurrë dhe kjo është iniciativë e mrekullueshme e prindërve që në bashkëpunim edhe me institucion me ngritë fonde shtesë për t’i përmirësuar edhe më shumë kushtet”, ka thënë Rama. “Këto gjëra, po them, ndodhin edhe nëpër vendet tjera. Edhe në Londër unë kam jetuar që i kam pas fëmijët në nivel parashkollor, ku përveç institucioneve atje të shtetit, kanë investuar edhe prindërit, sepse kanë pasur, për shembull, ide të reja se si munden të avansojnë kushtet apo të ketë edhe kurrikula shtesë apo gjëna tjera shtesë për të mirën e fëmijëve tyre”.
Disa nga prindërit, të cilët kanë marrë pjesë të premten në ceremoninë e përurimit të objektit, kanë treguar për kontributin e dhënë.
Njëra prej tyre, Lirdona Blakaj, ka thënë se pothuajse secili prind që i ka fëmijët në këtë institucion parashkollor ka kontribuar me para.
“Po, secili prind kemi kontribuar ngapak... Lodrat, fondin të cilin e krijojnë prindërit zakonisht i blejmë ca lodra të vogla. Varet prej prindit sa kontribuon”, ka thënë Blakaj.
E Hyrmete Kastrati ka treguar se prindërit kanë kontribuar edhe për organizimin e ceremonisë së përurimit.
“Po së fundi tash, ka qenë për ceremoni. Vetëm për ditën e sotme janë kërkuar nëse dikush ka dëshirë, përndryshe jo të gjitha kanë qenë të menduara me herët”, ka thënë Kastrati.
Punimet për rinovim të objektit të ri kanë zgjatur dy vjet dhe hapësirat e krijuara janë paraparë për 250 fëmijë.