Arbëri

Komuna e Prishtinës përfundon në gjykatë për tri vendime që MAPL-ja i vlerëson të kundërligjshme

38 vendime i ka miratuar Kuvendi Komunal i Prishtinës gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti.

Por, për tri prej tyre organet e komunës do të shkojnë në gjykatë.

Kjo pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka kthyer ato mbrapsht duke i vlerësuar si të kundërligjshme.

Bëhet fjalë për vendimin për fillimin e hartimit të planit rregullues të hollësishëm për zonën te Fakulteti Teknik në lagjen “Bregu i Diellit”.

Vendimi i dytë është ai për vendosjen e lapidarit kushtuar të vrarëve në pesëvjeçarin e parë pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa i treti për caktimin e lokacionit për vendosjen e pllakës përkujtimore kushtuar viktimave të luftës së vitit 1999 të lagjes “Sofalia”.

“Të kundërligjshme, janë kthyer 3 akte edhe atë nga fusha e planifikimit hapësinor, shqyrtimi të cilin e ka bërë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bazuar në Rregulloren për Fushat dhe Përgjegjësitë. Organet e Komunës së Prishtinës nuk i kanë harmonizuar aktet e lartcekura brenda afatit 30 ditor. Andaj me datën 03.07.2019, lënda është adresuar për gjykatën kompetente përmes Avokatit Shtetëror nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së për emisionin 038 të KTV-së.

Pothuajse çdo herë kur është diskutuar nisja e hartimit të planeve të hollësishme rregulluese, ka pasur përplasje ndërmjet këshilltarëve komunalë të opozitës dhe atyre të partive në pushtet lidhur me ligjshmërinë e tyre.

Duke cituar Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komuna vazhdimisht ka insistuar se këto plane nuk janë të kundërligjshme.

Në anën tjetër, këshilltarët opozitarë vlerësojnë se gjatë gjashtë-mujorit të parë, Kuvendi Komunal nuk ka bërë ndonjë punë të madhe, pasi thonë se temat varen nga ekzekutivi.

Kritika për punën e Kuvendit ka edhe AKR-ja, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

Për PSD-në, efikasiteti i Kuvendit Komunal gjatë kësaj periudhe ka qenë në nivelin e duhur.

Gjithashtu, MAPL-ja ka bërë të ditur se Ministria e Zhvillimit Ekonomik e ka kthyer në rishqyrtim vendimin e Komunës për ta kthyer Kuzhinën Qendrore në ndërmarrje publike komunale.

Sipas ministrisë, kjo është bërë për shkak të mosrespektimit të procedurave dhe kritereve të rregullores për themelimin e ndërmarrjes publike.