Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka theksuar nevojën e ndihmës profesionale në raste të depresionit dhe vështirësive të tjera, që, sipas tij, është shpëtuese e jetës.
Ahmeti ka bërë të ditur se po e ristartojnë “Linjën e Jetës” që është linjë për parandalimin e vetëvrasjeve, dhe po e hapin mundësinë kur qytetarët mund të thërrasin dhe të flasin për problemet që i preokupojnë. Kjo erdhi pas vetëvrasjes që ndodhi dje në kryeqytet.
Ai ka thënë se nuk i paragjykon rrethanat e as detajet e rastit të fundit në Prishtinë, ku një vajzë humbi jetën si pasojë e rënies nga ndërtesa, por thekson nevojën e ndihmës profesionale, meqë, sipas tij, izolimi dhe karantinimi mund të shtojnë vështirësitë e njerëzve.
Vdes një person rreth të 20-ave në Prishtinë, dyshohet të ketë rënë nga një ndërtesë
Ky është postimi i Ahmetit në faqen e tij zyrtare facebook:
Fatkeqësisht këto ditë kemi pasur edhe një rast të vetëvrasjes e që nuk është rasti i parë në shoqërinë pa marrë parasysh pandeminë.
Nuk paragjykoj as rrethanat e as detajet e rastit, por ndihma profesionale është shpëtuese e jetës në raste të depresionit e vështirësive tjera.
Me gjasë izolimi dhe karantinimi mund vetëm të shtojnë vështirësitë e njerëzve. Ne si Komunë kemi inkurajuar aktivitete nga shtëpia që ndihmojnë edhe në këtë drejtim.
Por këtë javë zgjerojmë edhe aktivitetin e ndihmës. Në bashkëpunim me QIPS, do të ristartojmë ‘Linjen e Jetes’, që është linje për parandalimin e vetëvrasjeve. Kjo është ndihmë profesionale, dhe në qoftë se njihni dikënd, ndihma më e madhe êshtë që t’i udhëzoni të kërkojnë ndihmë profesionale.
Por po e nisim edhe platformen #rriNshpi fol shlirë ku mund të thirrni dhe të folni me të tjerë për çështjet që ju preokupojnë. Këto nuk duhet të jenë tabu. Të gjithë kemi vështirësi dhe kemi nevojë për dikënd që na dëgjon.
Ngushëllime familjes e qoftë rasti i fundit në qytetin tonë.