Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Prishtinës dhe Oda Ekonomike shqyrtojnë bashkëpunimin në disa fusha

Komuna e Prishtinës dhe Oda Ekonomike e Kosovës janë zotuar që të formojnë një grup të përhershëm të komunikimit ku do të adresohen çështjet e përbashkëta.

Kështu u tha në takimin mes Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe atij të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

“Dy fushat që kërkojnë komunikim më të shpeshtë mes nesh janë ndërtimtaria dhe gastronomia. Me të parët, që nga procedurat për marrjen e lejeve të ndërtimit e deri tek pranimi teknik dhe certifikata e përdorimit; kurse me të dytët, për çështjet si orari e punës dhe shfrytëzimi i hapësirave publike për tarraca”, theksoi Ahmeti, përderisa shpjegonte nevojën e bashkëpunimit të ndërsjellë mes Komunës dhe Odës.

Në fjalën e tij të rastit, Rukiqi tha se Prishtina është komuna me më së shumti kontribut në rritje të GDP-së dhe në rritje të vendeve të punës. “Ne besojmë që në kuadër të legjislacionit të përgjithshëm mund të gjenden mekanizma stimulues për investime në Komuna, veçanërisht në Komunën e Prishtinës. Do t’i kushtojmë rëndësi lobimit edhe në institucione të nivelit qendror për ndryshime të nevojshme ligjore ashtu që të lehtësohen tutje investimet e huaja direkte”, tha Rukiqi.