Arbëri

Komuna e Podujevës rrëzon objektin pa leje në pronën e saj, familja thotë se janë në proces gjyqësor

Nënë e bijë, përreth një orë, provuan që ta ndalin Inspektoratin e Komunës së Podujevës që të mos e rrënojnë një pjesë përcjellëse të shtëpisë së tyre.

Me gjithë rezistencën, Inpsektorati e përfundoi punën për të cilën kishte ardhur, dhe policia e arrestoi njërën nga pronaret e shtëpisë për pengim të punës.

Kjo familje thotë se rasti është në proces gjyqësor dhe se Komuna nuk ka të drejtë që ta rrënojë këtë pjesë të shtëpisë pa dhënë fjalën e vet gjykata.

Nazmie Boshnjaku, pronare e shtëpisë thotë se i posedojnë dokumentet që kjo pronë është e tyre dhe se asnjëherë nuk ka qenë pronë shoqërore.

Zyrtarë të Inspektoratit prapa kamerës kanë thënë se kjo familje është paralajmëruar me kohë dhe se për këtë pjesë nuk ka leje ndërtimore, pasi aty ka qenë rruga që çon te stadiumi i qytetit.

Sipas tyre, kjo familje për shumë vjet ka qenë uzurpuese e pronës komunale.

Përderisa, drejtori i Inspektoratit në këtë komunë, Durim Shala, nuk ka dhënë ndonjë sqarim në lidhje me këtë rast.