Në rast të përshkallëzimit të mundshëm të situatës nga shtimi i numrit të sëmurëve nga koronavirusi, Komuna e Pejës ka planifikuar edhe objektet, të cilat mund të shndërrohen brenda një apo dy ditëve në qendra të karantinës për trajtimin e pacientëve të infektuar me COVID-19.
Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë dhe person zyrtar për kontaktim i shtabit emergjent të kësaj komune, ka thënë për KOHËN se objektet janë të identifikuara, por ende nuk janë të përgatitura që menjëherë të sistemoheshin pacientët.
“I kemi identifikuar katër objekte, të cilat nuk janë të përgatitura, por në rast të nevojës janë në gatishmëri që qeveria t’i përshtatë dhe t’i ambientojë për karantinimin e pacientëve me virusin COVID-19”, tha Loci.
Një prej objekteve, siç tregon Loci, është objekti i Qendrës së Mjekësisë Familjare numër 5 në lagjen Fidanishte të Pejës. Konkretisht aneksi në këtë objekt ku më herët ka qenë qendra e vaksinimit dhe nga fillimi i këtij viti funksion shërbimi i kujdestarisë.
Ajo hapësirë është rinovuar dhe e gatshme që të vendosën shtretërit dhe pajisjet tjera mjekësorë që nevojiten. Objekti tjetër i paraparë në rast nevoje për karantinën e pacientëve me koronavirus, është shtëpia për qëndrim ditor të personave të moshës së tretë, që gjendet afër Pallatit të Kulturës. Ky objekt i përfunduar vjeshtën e vitit të kaluar, i ideuar për qëndrim ditor të pensionistëe, ende nuk është lëshuar në funksion për shkak të mungesës së inventarit.
“E kemi paraparë edhe këtë objekt të modifikohet në rast nevoje për karantinë. Aty është salla e madhe dhe kishte zënë një numër goxha të madh të shtretërve”, thotë Loci.
Objekti i tretë, sipas Locit, është qendra për përkujdesjen e të moshuarve, ku pronari ia ka ofruar komunës në rast nevoje, dy katet e epërme që kanë hyrje të veçantë. Aty dhomat janë me shtretër, derisa kati përdhes është i banuar. Ky objekt i shtëpisë së pleqve, deri para pesë vitesh ka qenë objekt i Institutit Rajonal të Shëndetit Publik. Ky objekt është ndërtuar në vitin 1925 nga fondacioni “Rockfeler” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Si i tillë ai objekt ka funksionuar deri para pesë vitesh, kur stafi i Institutit Rajonal të Shëndetit Publik ka kaluar në objektin e ri, i ndërtuar prapa këtij objekti të vjetër, të cilin komuna në vitin 2017 e ka dhënë me koncesion për 45 vjet, një konsorciumi kosovaro-zviceran, për shfrytëzimin e këtij objekti për shtëpi për përkujdesje të personave të moshuar. E në rast se këto tri objekte nuk mjaftojnë, Loci tha se komuna e ka në listë objektin 2-katesh për strehimin emergjent, që gjendet në lagjen “Kristal” të Pejës. Aty janë të vendosura disa familje të pastreha, por në rast nevoje, siç tha Loci, ato familje i largojnë nga aty dhe i vendosim diku tjetër dhe atë objekt e shndërrojmë në objekt hermetikisht të mbyllur për karantinën e rasteve më të rënda.
“Të gjitha këto objekte i kemi në gjendje të gatishmërisë dhe mund të modifikohen brenda një apo dy ditëve, në rast se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i kërkon. Këto objekte pastaj duhet të mbushën nga Ministria me shtretër dhe pajisjet tjera mjekësore, që janë të nevojshme për trajtimin e pacientëve të sëmurë nga koronavirusi”, tha Loci. Këto katër objekte sipas tij, janë identifikuar për këtë situatë, pasi komuna nuk ka ndonjë objekt të vetëm të madh e të zbrazët të cilin e kishte përgatitur dhe kishte qenë i gatshëm të shtrihen pacientët.
“Objektet ku ne i kemi identifikuar për mundësinë e karantinës së pacientëve me këtë virus, janë në shfrytëzim ose janë ndërtuar për qëllim tjetër. Ta kishim pas një objekt të zbraztë, komuna e kish përgatitë vet që të ishte i gatshëm në rast nevoje. Por, meqenëse nuk kemi një objekt të madh që kishim mund ta bënim të gatshëm, i kemi identifikuar dhe i kemi futur në listë këto katër objektet tjera për karantinë, në rast se shfaqet nevoja”, tha Loci.
Në komunën e Pejës aktualisht është vetëm një person i infektuar me COVID-19. Një grua 73-vjeçare nga fshati Llugaxhi i Pejës. Ky fshat gjendet në izolim nga dita enjte, kur është diagnostikuar pacientja me koronavirus. Në izolim janë edhe dy familje në lagjen Dardania të Pejës, të cilët kanë qenë persona në kontakt me gruan e infektuar nga Llugaxhia.
Loci tha se këtyre familjeve iu është bërë testi, i cili ka dal negativ.
“Aktualisht në Pejë kemi vetëm një person të infektuar, që është 73-vjeçarja nga fshati Llugaxhi”, tha Loci.