Ashtu si të gjitha partitë e përfaqësuara në Asamblenë Komunale, mbështetje për banorët e Kçiqit të Madh rreth problemeve të tyre me gurthyes ka premtuar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
“Do të jem këmbëngulës që asnjë gurthyes të mos ekzistojë në Mitrovicë për arsye se ata bëjnë vetëm dëm, e shkatërrojnë ambientin dhe infrastrukturën që e kemi ndërtuar”, ka thënë Bahtiri.
Banorët e Kçiqit të Madh vitin e kaluar kishin dorëzuar një peticion në Komunën e Mitrovicës dhe kishin protestuar kundër gurthyesit të kompanisë “Lirigzoni”, në fshatin e tyre.
Sidoqoftë, Bahtiri ka deklaruar se çfarëdo veprimi i Komunës për ndaljen e aktivitetit të gurthyesit do të ishte i paligjshëm.
“Kaq, nuk e di se çfarë mund të bëj më shumë. Po të mund të bëja sot do t'ia hiqja licencën nuk kam të drejtë për arsye se bëj vepër penale”, është shprehur ai.
Pavarësisht se peticioni për ndaljen e punës nuk u votua, kryetari i fshatit Kçiq i Madh, Fatmir Salihu, ka thënë se është i kënaqur, pasi, sipas tij, ka parë zhvillim pozitiv drejt ndaljes së tij.
“Momentalisht jemi të kënaqur sepse vija institucionale është vija më rregullt për zgjidhjen e problemit”, ka thënë Salihu.
Edhe
Banorët thonë se nuk u kontaktuan gjatë inspektimeve për dëmet nga gurthyesi në Kçiq të Madh
Komuna e Mitrovicës bashkë me Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale kanë formuar një ekip inspektorësh, të cilët do ta konstatojnë ekzistimin e licencës së gurthyesit e dëshmive adekuate për shfrytëzim të resurseve, distancës në përputhje me dispozitat ligjore dhe efekteve mjedisore të detonimit të eksplozivëve.
Në bazë të vendimeve të drejtuesve të këtyre institucioneve, raporti i përbashkët do t'i shkojë Ministrisë së Mjedisit, para 6 prillit.
Kjo e fundit, si dhe kompania “Lirigzoni Sh.P.K” janë kontaktuar nga KOHA, por nuk kanë dhënë përgjigje.