Komuna e Kaçanikut ka marrë vendim që të përkrahen 60 studentë të dalluar me bursa në vlerë prej nga 40 euro në muaj për vitin akademik 2022-2023.
Ky vendim ishte përkrahur edhe nga Kuvendi Komunal në njërën nga mbledhjet e kaluara duke u bazuar në rregulloren NR.06/2016 për ndarjen e subvencioneve.
Sipas zyrtarëve komunalë ky vendim është marrë në kuadër të politikave komunale për përkrahjen e qytetarëve dhe studentëve përmes kategorisë së subvencioneve. Studentët duhet t’i plotësojnë disa kritere që fillimisht duhet të jenë banor të komunës së Kaçanikut, pastaj të jenë student të rregullt në universitete publike, të kenë të përfunduara të gjitha provimet e vitit paraprak, të jenë student të vitit të dytë e më lartë, të mos jenë përsëritës të vitit dhe të kenë notën mesatare më të lartë se 7.5, përveç disa drejtimeve deficitare.
Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet me pikë duke shumëzuar notën mesatare me koeficientin 10. Pastaj do të merren për bazë edhe drejtimet deficitare që i shtohen 5 pikë.
“Studentët përfitojnë pikë të tjera nëse i takojnë kategorive të dala nga lufta si fëmijë të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe martirëve. Po ashtu edhe për fëmijët që kanë familjet me gjendje të rëndë ekonomike, persona me aftësi të kufizuara, pastaj për ato familje që kanë më shumë se një student”, thuhet midis të tjerash në njoftimin e Komunës.
Ndërkaq, drejtori për Arsim në Komunën e Kaçanikut Zahir Doda, ka thënë se edhe sivjet kanë marrë vendim për t’i përkrahur 60 studentë me bursa.
“Do të përkrahen studentët me bursa, nga komuna jonë të cilët i plotësojnë kushtet dhe kriteret e parapara sipas konkursit të shpallur. Pra, edhe këtë vit komuna po vazhdon politikën e përkrahjes së studentëve përmes bursave. Po ashtu janë duke u realizuar edhe disa projekte që ndërlidhen me krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë e komunës sonë, siç është renovimi i sallës së leximit në shtëpinë e kulturës e.t.j’, ka thënë midis të tjerash Doda.