Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kompanitë turke të interesuara të investojnë në Kosovë

Në takimin që zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, pati me një delegacion turk të kompanisë konsulente për investime “GD” në Turqi, e udhëhequr nga Gozde Gunugur, u bisedua për investimet strategjike që mund të bëhen në Kosovë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Përpos që i njoftoi për procesin e investimeve strategjike, Gashi u shpreh i gatshëm t’u ofrojë ndihmë kompanive serioze turke sa u përket informacioneve dhe mundësive që ka Kosova në sektorët strategjikë.

Gunugur, nga kompania “GD”, shprehu interesimin e kompanive turke për të investuar në Kosovë, sidomos në miniera, energji të ripërtërishme dhe turizëm. Meqë procesi i investimeve strategjike është atraktiv dhe lehtëson procedurat, u kërkua të organizohet një takim me partnerët investues të kompanisë konsulente “GD”, për t’i prezantuar mundësitë që ka Kosova në miniera dhe energji.