Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shala: Çdo investim nga shteti i Turqisë është i mirëseardhur

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Çagrı Sakar. Gjatë takimit, i pari i Ministrisë së Tregtisë është shprehur se mirëpret investitorë nga Turqia, derisa ka theksuar se do të përkushtohet në krijimin e lehtësirave për investime në Kosovë.

Ai tha se Ministria që drejton është bartëse e zbatimit të Ligjit për Investime Strategjike, kurse ligji krijon shumë lehtësira për investitorët potencialë, shkruan Koha.net.

“Kemi disa kompani turke që janë të interesuara për të investuar në Kosovë në fushën e energjisë së ripërtërishme, dhe për Republikën e Kosovës çdo investim nga shteti i Turqisë është i mirëseardhur. Dua t’ju garantoj për përkushtimin tim që investitorët nga Turqia do t’i kenë të gjitha lehtësirat që ligji i mundëson”, tha ministri Shala.

Shala theksoi se për Kosovën është i rëndësishme bashkëpunimi me Turqinë dhe ka shtuar se shumë kompani turke kanë investuar në Kosovë dhe janë treguar të suksesshme.

Ndërsa ambasadori i Turqisë në Prishtinë theksoi se Kosova është vend i rëndësishëm dhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera.

“Dëshiroj të theksoj se për ne është e rëndësishme thellimi i bashkëpunimit dhe besoj që MTI luan një rol të rëndësishëm në këtë bashkëpunim”, tha ambasadori.