Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisioni i Jasharit zbulon shkeljet e zëvendësit të Sami Lushtakut në Skenderaj

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, me të marrë detyrën, kishte themeluar një komision, i cili do të evidentonte parregullsitë ose shkeljet e mundshme ligjore gjatë qeverisjes së kaluar në krye me Sami Lushtakun, raporton KTV.

Gjatë punës së tij, komisioni gjeti se ish-nënkryetari i kësaj komune, Fadil Nura, i cili ka ushtruar pozitën e kryetarit, derisa Sami Lushtaku ishte në burg, ka bërë shkelje ligjore.

Sipas zyrtarëve komunal, Fadil Nura kishte nënshkruar në vend të ish-kryesuesit të Kuvendit, për dhënien në shfrytëzim të 71 ari tokë në qendër të qytetit.

Ramiz Shala, zëdhënës i kësaj komune, thotë se me këtë veprim, ish-nënkryetari ka bërë shkelje të disa ligjeve.

Sipas Shalës, kompania që mori në shfrytëzim këtë tokë pronë të komunës, e ka kthyer në treg, nga e cila përfiton të ardhura dhe nuk i paguan asgjë në kompensim komunës.

Gjithashtu ai thotë se qeverisja e kaluar nuk u ndal me kaq, pasi që ish-drejtori i urbanizmit, pa pasur fare kompetencë, ia dha në shfrytëzim edhe 40 ari tokë të tjera këtij operatori ekonomik.

Edhe Pos për keqpërdorime, Bekim Jashari e akuzon edhe për diçka tjetër Sami Lushtakun Arbëri Pos për keqpërdorime, Bekim Jashari e akuzon edhe për diçka tjetër Sami Lushtakun

Kohavisioni ka kontaktuar edhe me ish-kryetarin Fadil Nura, i cili aktualisht është zëvendësministër i drejtësisë, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve.

Nura këtë çështje e ka komentuar përmes llogarisë se tij në facebook, duke thënë se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore. Por zyrtarë të komunës thonë se komplet lëndën e këtij vendimi do ta dërgojnë për hetim.