Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shprehen akuza për hakmarrje nga pushteti në Skenderaj

Përçarjet ndërmjet nënkryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe ish-kryetarit, Bekim Jashari, sipas asamblistëve të këtij të fundit, ende janë duke u reflektuar në procesin e vendimmarrjes. Për këtë situatë as Jashari e Lushtaku nuk kanë pranuar të flasin. Por ato i ka mohuar kryetari i Skenderaj, Fadil Nura. Ka thënë se nuk ekziston presion politik në shenjë hakmarrjeje.

Përçarjet dhe përplasjet politike ndërmjet nënkryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe ish-kreut të kësaj komune, Bekim Jashari, vlerësohet se janë duke u reflektuar në proceset vendimmarrëse.

Krejt kjo, sipas grupit të asamblistëve të listës së pavarur “Ideal”, ka filluar nga konflikti verbal që filloi pasi Jashari mori pushtetin më 2017, ku e akuzonte pararendësin e tij Lushtakun për zhvatje të buxhetit komunal.

Sipas tyre, nga kjo janë duke e pësuar qytetarët.

“Prapë i njëjti avaz me presione politike, duke i bërë punonjësit në përgjithësi, sidomos në QKMF, për t’i larguar nga puna. Qysh mund të mendojë një rini e shëndoshë kur i sheh gjithë këto ngjarje, si duhet të mendojë ajo të punësohet këtu? Këto janë shumë të dëmshme për rininë tonë”, ka thënë Avdullah Gashi, asamblist i kësaj liste.

KOHA ka tentuar të marrë një prononcim nga Bekim Jashari, por ai nuk ishte i qasshëm në telefon.

Edhe Jashari jashtë politikës: S’mund të vazhdoj në këto rrethana sesi po zhvillohet politika te ne Arbëri Jashari jashtë politikës: S’mund të vazhdoj në këto rrethana sesi po zhvillohet politika te ne

Asamblistët e subjektit politik që ai ka udhëhequr në zgjedhjet e fundit kanë thënë se Jashari është distancuar nga çështjet lokale.

Ai në shkurt të këtij viti ka njoftuar për largimin nga politika. Në letrën e tij publike ka thënë se nuk mund të vazhdojë në këto rrethana se si po zhvillohet politika.

E nënkryetari Lushtaku, i cili më 2017 u tërhoq nga gara për ta përkrahur kandidaturën e Jasharit, ka thënë për KOHËN se gjendet në Shqipëri.

Ankesat për presion politik në shenjë hakmarrjeje i ka mohuar kryetari Fadil Nura.

“Kur një opozitë nuk ka vizion, alternativë, kapen në gjëra kaq banale që nuk kanë të bëjnë me qytetarët e Skenderajt. Nuk ka më Bekim Jashari, pasi nuk është më në politikë. Dhe, si mund të përdoret një njeri që nuk është në politikë, cili është vizioni i kësaj opozite? Janë drejtorët e shkollave që unë në asnjë masë nuk kam marrë asnjë veprim, drejtorë që janë emëruar nga pushteti i kaluar”, ka thënë ai.

Edhe Komuna zgjedh projektin për memorialin “Adem Jashari” mbi sheshin që s’ekziston Kulturë Komuna zgjedh projektin për memorialin “Adem Jashari” mbi sheshin që s’ekziston

Sipas asamblistëve, kjo përçarje politike ka ndikuar edhe në emërtimin e rrugëve në këtë komunë.

Një rrugë në fshatin Vojnikë është bërë mollë sherri mes banorëve. Rruga e cila mban pllakatin “Muhamet Musliu”, që sipas familjes Musliu ishte vendosur gjatë pushteti të kaluar, tani, sipas tyre, është duke u tentuar të ndryshohet në “Bislim Imeri”.

Sipas anëtarëve të familjes Musliu, një ndër arsyet është pasi personi që ka kërkuar emërtimin e rrugës, Xhevat Imeri, është përkrahës i pushtetit.

“Qe gjashtë vite janë tri pllakat që janë të vendosur në rrugën e cila shtrihet nga degëzimi për lagjen Turjan – ‘Rruga Dëshmorët e Vajnikut’ dhe kalon nëpër fshatin Ozdrim dhe përfundon në kufirin me fshatin Jashanicë. Tani pas shumë vitesh është bërë kërkesë nga familja Imeri që të ndryshohet”, ka thënë vëllai i Muhamet Musliut, Liri Musliu.

Sipas tij, një ndër arsyet është pasi personi që ka kërkuar emërtimin e rrugës Xhevat Imeri është përkrahës i pushtetit.

Edhe Mehanin e liron spitali, Lushtakun Policia Arbëri Mehanin e liron spitali, Lushtakun Policia

E akuzat i ka mohuar Imeri.

“Unë në korrik të vitit 2021 e kam bërë kërkesën që të emërohet ajo rrugë në emër të babait tim, meqë ka qenë luftëtar i UÇK-së. Rruga kah është pa emër, ata e kanë vendosur privatisht pllakatën e tretë. Zyrtarisht ajo rrugë i ka vetëm dy pllakata”, ka thënë Imeri.

Kryetari Nura ka thënë se rruga kryesore do të vazhdojë të quhet “Muhamet Musliu”, e vetëm rruga e degëzuar do të emërtohet “Bislim Imeri”, që sipas tij është udhë pa emër.