Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisionerja e KiE-së thirrje Qeverisë në Shqipëri: Rishikoni paketën ‘antishpifje’

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq ka reaguar në lidhje me draftet e paketës ‘antishpifje’ që për herë të parë përfshin median online.

Mijatoviq përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë që të rishikojë draftet e paketës ‘antishpifje’, me argumentin se duhen përshtatur sipas standardeve të vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Europës.

Ndër të tjera në reagimin e saj ajo thekson se ndërhyrja e shtetit në rregullimin e medias mund të cenojë lirinë e shprehjes.

Jam thellësisht e shqetësuar pasi mësova se këtë javë Parlamenti i Shqipërisë ka vijuar me shqyrtimin e dy projektligjeve, të njohura si “Paketa ‘antishpifje’. Këto ligje kanë nevojë urgjente për përmirësim. Disa dispozita janë me të vërtetë të papajtueshme me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. Unë jam veçanërisht e shqetësuar se kompetencat që u janë dhënë organeve rregullatore, aftësia për të shqiptuar gjobë të tepërt dhe për të bllokuar faqet e internetit të mediave pa një vendim gjyqësor, si dhe futjen e rregullave më të mira të mediave, mund të jenë një goditje e rëndë për lirinë e shprehjes dhe mediave në vend. Ka rëndësi të jashtëzakonshme që të sigurohemi që interneti të mbetet i hapur dhe forum publik dhe që të mbizotërojë vetërregullimi në media, përfshirë median online. Prandaj i nxis anëtarët e Parlamentit të Shqipërisë që të rishikojnë draftet aktuale dhe t’i rreshtojnë ato me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të Këshillit të Evropës.