Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komision për shqyrtimin e lëndëve të gjykatave paralele të Serbisë në veri

Kryesuesi i Këshilli Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, ku si të arritur ka përmendur integrimin e veriut në kuadër të sistemit të drejtësisë së Kosovës.

Idrizi është pyetur nga kryetarja e këtij Komisioni, Albulena Haxhiu, nëse është paraparë që me Marrëveshjen për drejtësi të njihen aktgjykimet e gjykatave paralele të Serbisë në veri të vendit.

Kryesuesi i KGJK-së ka shpjeguar se për këtë do të krijohet një komision që do t’i shqyrtojë këto lëndë, që llogaritet të jenë mbi 2 mijë e 500, raporton KTV.

Sa i përket dorëheqjes së kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Nikolla Kabashiq, Idrizi ka thënë se ai fillimisht ka kërkuar dorëheqjen pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq dhe frikës se mund të ketë përkeqësim të situatës së sigurisë, por më pas Kabashiq është pajtuar që të mbetet në krye të kësaj gjykate.

Idrizi është pyetur edhe për të kaluarën e Kabashiqit, ndërsa ka thënë se nuk kanë informacione nëse i njëjti ka të kaluar kriminale apo jo.

Ndër sfidat dhe problemet e vazhdueshme, sipas Idrizit, janë numri i madh i lëndëve të pazgjidhura dhe buxheti i vogël për KGJK-në.