Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komedia rreth flamurit të Kosovës që nuk e ka

Një komedi që më shumë të bën të skuqesh sesa të qeshësh është zhvilluar mbrëmë e edhe më parë rreth flamurit që në fakt shteti i Kosovës nuk e ka.

“Kosova nuk ka flamur...” shkruan sot shkrimtari e publicisti Veton Surroi.

“... Kosova nuk ka flamur të vetin shtetëror. Gjatë dhjetë vjetëve qytetarëve ua kanë treguar një që, siç kam shkruar në libër, i përngjan më shumë peshqirit të një hoteli në Turqi (sepse vetëm atje kam parë që hotelet kanë më shumë yje se pesë, si ky pretendent flamuri), sesa një ilustrimi estetik të vendit dhe qytetarëve të tij” shkruan Surroi, duke rikujtuar edhe historinë e tij “që nuk përfundon mirë (as) në aspektin legal”, raporton Koha.net.

Surroi, që ka qenë edhe pjesë e Ekipit të Unitetit i cili negocioi Pavarësinë e vendit, rikujton se për përzgjedhjen e flamurit dhe stemës së shtetit atëbotë ishte hapur konkurs, por kur erdhi koha e përzgjedhjes nuk kishte më Ekip të Unitetit, ndërsa përzgjedhjen e tij e bëri më 17 shkurt 2008, atëherë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas Surroit, “ky që pretendohet të jetë flamur i vendit, pos që nuk është estetik nuk ishte as legjitim; nuk qe prodhim i ndonjë procedure përzgjedhjeje artistike apo politike”.

Ai nuk u pëlqye as nga populli, i cili duhej ta tundte me krenari në lirinë e tij të fituar me sakrifica e gjak ndër vite.

Surroi rikujton nenet e Kushtetutës e të ligjeve të Kosovës që rregullojnë fushën e simboleve shtetërore dhe përmend se Kuvendi i Kosovës në asnjë moment nuk votoi për dukjen e flamurit.

“Pa përcaktim ligjor çdo kush mund të prodhojë një copë tekstili me dizajnin e vet dhe të thotë se është flamur shtetëror. Meqë nuk është legal, Kosova nuk ka flamur shtetëror”, konkludon Surroi.

Prandaj komedia me të, që u zhvillua mbrëmë te “Rrethi i Flamurit”, siç e kanë pagëzuar vetë qytetarët rrethrrotullimin në hyrje të kryeqytetit të Kosovës, i shkon historisë së këtij simboli, i cili për të gjitha shtetet e popujt konsiderohet i shenjtë.

Qe vendosur si simbol shteti, pastaj u zëvendësua me simbolin e pakontestueshëm kombëtar, mandej ky u ndërrua me flamurin e ‘ofsajdit’, si një metaforë për pozitën në të cilën ndodhen politikanët e politika që prodhojnë ata, dhe prapë u rikthye ai kombëtar, ndërsa kur u desh të rivendosej për 10-vjetorin e Pavarësisë ai shtetëror “çuditërisht” u vodh...

Çdo gjë që ndodhi më shumë ishte për t’u skuqur sesa për të qeshur. Si shumë punë tonat.

Artikuj të ngjashëm