Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se miratimi i Gjykatës Themelore për ta shtyrë ekzekutimin e vendimit për këmbim të pronave në Prishtinë është shtysë për Kuvendin Komunal të kësaj komune për ta anuluar tërësisht vendimin.
Gjykata Themelore në Prishtinë të martën ka miratuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për të shtyrë ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbim të pronës komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badoc, për të cilat ka raportuar tash e sa javë KOHA. Të enjten nga ora 14:00 pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal ku në rend dite do të jetë propozim-vendimi për anulimin e vendimit për këmbimin e pronës në Badoc.
Kolshi ka thënë se nëse Kuvendi Komunal arrin ta anulojë vendimin do të jetë lajm i mirë.
“Nëse Kuvendi Komunal e anulon këtë vendim, është lajm i mirë sepse kthehet ligjshmëria. Vendimi i Gjykatës është shtysë që Kuvendi Komunal ta anulojë këtë vendim. Çështja administrative dhe ajo penale janë të ndara. Prokuroria e ka obligim të hetojë se si ka ardhur te marrja vendimit dhe çdo vendim që lidhet me këtë proces mund të tregojë qëllimin pse është këmbyer kjo pronë”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Hulumtuesi i IKD-së ka thënë se s’është arsyetim logjik ai i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se procesi i këmbimit të pronave ka filluar më herët.
“Pak ka rëndësi kush e fillon, kush e mbaron. Përgjegjësia penale është individuale. Nëse dikush ka bërë vepër penale, ti duhet ta ndalosh. Prandaj, s’është arsyetim logjik ai i Ramës”, ka shtuar Kolshi.
Edhe
Gjykata shtyn ekzekutimin e vendimit për këmbim të pronave
Javë më parë KOHA ka raportuar se para tre vjetësh kryetari i Komunës, Përparim Rama pati klientë pronarët e mbi 8 hektarëve tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje. Projekti u ndalua sa Lumir Abdixhiku ishte ministër. Por në fund të dhjetorit, me propozim të Ramës e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal vendosi që ajo të këmbehej me një pronë tjetër gati trefish më të madhe në zonën Prishtina e Re. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka lëshuar ligjshmërinë, ndërsa më vonë e ka tërhequr.
Pas raportimit të KOHËS, IKD-ja parashtroi padi në Gjykatë.