Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Koha Ditore”, një supergazetë festive

Tradita vazhdon. Edicioni i fundit i “Kohës Ditore” për vitin 2018 do të jetë një supergazetë, jo vetëm për shkak se ka mbi 200 faqe, por edhe më tepër për përmbajtjen ekskluzive, për rrëfime të veçanta dhe një kalendar 6-faqesh për vitin 2019 si dhuratë për lexuesit besnikë – për vetëm 1.50 euro.

Kosova lakuriq - është tema e edicionit të fundvitit, e ilustruar me karikaturën fenomenale të Jeton Mikullovcit në ballinë dhe e trajtuar me stil nga reporterët e “Kohës”.

Lexoni pse 2018-a do të mbahet mend si vit që e ka zhveshur pushtetin e Kosovës deri në masën, saqë nuk ka mbetur asgjë pa u vërejtur e parë?

Cilat janë problemet dhe çështjet, që bashkë me protagonistët e tyre, e kanë bërë vitin 2018 të na duket edhe më i rëndë e skandaloz se ai para tij, dhe që ndjellin frikën se ky që po vjen mund të jetë edhe më i trishtë?

Dhe cilat janë sukseset dhe arritjet që japin shpresë se Kosova nuk është e dënuar të mbetet përgjithmonë e tillë si është tani?

Edhe Koha Ditore dhuratë për lexuesit Arbëri 6 muaj më parë Koha Ditore dhuratë për lexuesit

Në “Kohën Ditore” festive do t’i gjeni edhe të gjitha që na e shënuan vitin që po e lëmë pas, por edhe paralajmërimet për ato që na presin në vitin 2019 – prej temave tashmë të urryera politike, si dialogu me Serbinë, korrigjimi i kufijve dhe dështimet në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, e deri tek origjina dhe prapavija e sukseseve të mëdha që Kosova po arrin në sport dhe kulturë.

Si rëndom, për ato që simbolizuan vitin, si të mirat edhe të këqijat, lexoni edhe kolumnet e kolumnistëve të rregullt të “Kohës”, redaktorëve dhe autorëve mysafirë, që trajtojnë temat në stile të ndryshme që të përbashkët e kanë origjinalitetin si në humor ashtu edhe në seriozitet.

Tradita vazhdon edhe me rrëfimet Kosovarçe të “Kohës Ditore” – në edicionin e fundvitit do të gjeni rrëfime nga margjinat e shoqërisë, që në fakt janë refleksione të jetesës së vërtetë në Kosovën e ditëve tona. Lexoni për profesione të ndryshme që kanë kosovarët nga anë të ndryshme të vendit, dhe pasionet e njerëzve që janë thelbi i asaj që në të vërtetë është Kosova.

Nga Bota - lexoni pse 2018-a ishte një vit i humbur, si dhe storie të jashtëzakonshme për jetën e njerëzve të rëndomtë anembanë globit, ndër të tjera edhe reportazhin ekskluziv të “Kohës Ditore” nga Hiroshima dhe rrëfimin e të mbijetuarës nga shpërthimi i bombës atomike, 79-vjeçares Katsuko Kuvamoto.

Rubrika e veçantë MesPërMes - në edicionin e fundvitit sjell kuriozitete nga më të ndryshmet – prej atyre nga fusha e arteve dhe muzikës, deri tek ato të shkencës dhe teknologjisë. Aty do të gjeni edhe recetat e preferuara festive, si dhe faktet nga më të pabesueshmet për jetën dhe njerëzit. Lexoni edhe horoskopin për vitin 2019, si dhe për teorinë e Albert Einsteinit për lumturi!

Edhe OpEd 1 muaj më parë Puna e prioriteteve

Në faqet festive të Kulturës janë radhitur sukseset e shumta të artistëve kosovarë, që arritën majat duke i shfaqur botës një imazh të ri, të bukur dhe pozitiv të Kosovës. Në edicionin e fundvitit kujtojmë madhështinë e festivalit “Sunny Hill” dhe ngritjen e Dua Lipës në kulmin e pop-muzikës botërore. Por edhe arritjet e mëdha të artisteve dhe artistëve të tjerë të suksesshëm, si në muzikë ashtu edhe në artet e tjera – prej filmit dhe teatrit e deri në arkitekturë dhe trashëgimi.

Dhe, natyrisht, Rubrika e Sportit sjell rrëfimet e sukseseve më të mëdha që vazhdojnë prej viti në vit. Tashmë jemi mësuar që faqet tona të na i mbushin sukseset e vashave dhe djemve tanë në xhudo, por këtë vit atyre u bashkohen edhe futbollistët që arritën rezultatet që pakkush i kishte menduar të mundshme para një viti. Rezultate këto që tashmë i dedikohen legjendës së futbollit kosovar të cilin e humbëm këtë vit – Fadil Vokrrit.

Por faqet e sportit sjellin edhe më shumë se kaq – janë aty edhe rrëfimet për sportet dhe sportistët e tjerë të Kosovës që talentit ia shtojnë punën për të arritur rezultatet e dëshiruara dhe të synuara. Nga faqet e sportit botëror lexoni për shqiponjat e Kosovës që dominojnë edhe nëpër ligat e Evropës, si dhe rrëfimet për kampionët e vitit.

Dhe, për ata që në ditët e festës duan edhe të relaksohen, gazeta sjell edhe 18 faqe enigmatikë për të rriturit dhe fëmijët!

Edhe Opinion 3 muaj më parë Koha për unitet

“Koha Ditore” festive, një gazetë me një vit të tërë, dhe shumë më shumë!

GËZUAR 2019!