Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kodheli takon ushtarakët e kthyer nga misioni në Egje

Ministrja e Mbrojtjes në Qeverinë e Shqipërisë, Mimi Kodheli, në mjediset e Komandës së Forcës Detare në Durrës, u takua me pjesëtarë të kontingjentit të dytë të Forcës Detare të sapokthyer nga misioni në detin Egje, që i shërben parandalimit të kalimit të paligjshëm të klandestinëve drejt vendeve të BE-së.

Duke uruar efektivët për kryerjen me sukses të këtij misioni, ministrja e konsideroi atë një shkollë për anëtarët e kontingjentit dhe eksperiencë të madhe.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Përfaqësimi i denjë i anijes sonë patrulluese na nderon të gjithëve dhe ngre më lart vlerësimin që qeveria dhe qytetarët kanë në raport me ushtrinë shqiptare, si pjesa më e mirë e shoqërisë sonë”, theksoi ministrja Kodheli.

Ajo shprehu besim se edhe misioni i tretë, i pozicionuar tashmë në Egje, do të vazhdojë në rrugën e suksesit të krijuar në këtë mision unikal, të NATO-s.

Gjatë takimit, komandanti i kontingjentit të dytë, kapiteni i rangut të tretë Silvan Boni, bëri një përmbledhje rreth misionit të kryer nga anija “Oriku” në detin Egje, ku detyra parësore ishte parandalimi i aktivitetit të paligjshëm dhe i kalimit të klandestinëve nga bregdeti i Turqisë në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.

Kontingjenti i dytë i Forcës Detare, i përbërë nga një grup prej 21 ushtarakësh, shërbeu për rreth 2 muaj në misionin e NATO-s në detin Egje. Aktualisht në këtë mision Shqipëria ka dërguar në detin Egje kontingjentin e tretë, i cili shërben atje prej rreth 1 jave.

Në takimin e sotëm ishin të pranishëm dhe komandanti i Forcës Detare gjeneralmajor, Ylber Dogjani dhe komandantë e drejtues të Forcës Detare.