Tiranë, 14 qershor - Në ambientet e Komandës Mbështetëse u zhvillua sot ceremonia e dërgimit të kontigjentit të parë të EOD (Explosive Ordnance Disposal ), në misionin operacional të NATO-s në kuadër të prezencës së përforcuar në Letoni.
Të pranishëm në ceremoni ishin ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, komandanti i Komandës Mbështetëse kolonel Ardian Bali, komandantë e drejtues të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes si dhe familjarë dhe të afërm të pjesëtarëve të EOD.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në fjalën e saj tha se pas anëtarësimit në NATO, koncepti i Mbrojtjes Kolektive, e ka evoluar perceptimin tonë për mbrojtjen, pasi tashmë kufijtë e çdo Aleati janë edhe kufijtë tanë, të cilët mishërojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë. “Në këtë kuadër, këta djem do të nisen sot, si pjesë e forcës së përparuar të Aleancës, për të kontribuar në mbrojtjen, parandalimin dhe aq më shumë garantimin e sigurisë së vendeve Aleate të NATO-s në Europën Lindore”.
Më tej, ministrja Kodheli theksoi përgjegjshmërinë dhe seriozitetin e qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për mbajtjen e barrës që i takon brenda aleancës, si dhe përkushtim për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të angazhimeve në raport me shtetet Aleate siç është rënë dakord në samitin e Varshavës.
Në fund të fjalës së saj, ministrja Kodheli tha: “Për të arritur deri në këtë ditë, është shpenzuar kohë, janë shpenzuar energji dhe burime, për të modernizuar pajisjet, intensifikuar stërvitjen dhe përmirësuar aftësitë fizike dhe operacionale. Meritat i takojnë djersës, mundit dhe sakrificave tuaja, gjatë përgatitjes dhe stërvitjeve brenda dhe jashtë vendit, me aleatët dhe partnerët tanë. Jam e sigurt se ky angazhim do të shërbejë për të rritur aftësitë ndërvepruese dhe bashkëpunuese, duke aplikuar procedurat standarde të Aleancës. Njëkohësisht, ju do të demonstroni zotësitë tashmë të spikatura, eksperiencat e vyera dhe praktikave tuaja më të mira”.
Edhe
Ushtarë nga Shqipëria u bashkohen atyre të NATO-s në vendet e Baltikut
EOD është struktura speciale për eleminimin e materialeve të rrezikshme, të Batalionit të Xhenios të Komandës Mbështetëse. Kjo strukturë është prioritet i Komandës Mbështetëse dhe i Forcave të Armatosura dhe përveç angazhimit brenda vendit ajo kontribuon me përfaqësues në Mali, Afrikë dhe tashmë edhe në Letoni. Shqipëria është pjesë e grup – batalionit në Letoni nën komandën e Kanadasë, ku marrin pjesë dhe Italia, Polonia dhe Sllovenia.
Aktualisht po dislokohen katër grup-batalione shumëkombëshe në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, që do drejtohen respektivisht nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Gjermania dhe SHBA. Forcat tona do të ofrojnë kapacitetin EOD për grup-batalionin e dislokuar në Letoni i cili është dhe konsiderohet një kapacitet shumë i rëndësishëm mbështetës.