Ish-kryeredaktori i Radio Evropës së Lirë, Melazim Koci, e ka krahasuar gjendjen në të cilën gjendet Lidhja Demokratike të Kosovës me anijen “Titanik” që ishte fundosur në vitin 1912.
Koci në “Konfront” të KTV-së ka thënë se kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme e më pas organet e partisë do ta jetësonin këtë. Ai thotë se nuk është dorëheqje kjo që ka ofruar Abdixhiku, por është tentim “për t’i amortizuar kërkesat për dorëheqje, për të fituar kohë dhe për ta konsoliduar mbështetjen jo vetëm të tij, por edhe të disa të tjerëve”.
“Çështjet nuk kanë të bëjnë vetëm me dorëheqjen e Abdixhikut. Problemi në LDK është më i thellë. Në këtë moment i ngjan ‘Titanikut’. Kur e them këtë e them me shumë keqardhje dhe dhembje, pasi megjithatë është një parti që ka merita të jashtëzakonshme...Është parti që ka dhënë shumë për Kosovën dhe pavarësisht se çfarë do të ndodhë meritat historike do t’i mbeten”, tha Koci.
Koci nuk e ka përjashtuar mundësinë që LDK-ja të margjinalizohet në skenën politike të Kosovës.
Ai ka thënë se Abdixhiku do të kishte hyrë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, por ai e refuzoi nga frika se partia e tij mund të ndahej në dysh.
“Besoj se z. Abdixhiku do të hynte në koalicion me Vetëvendosjen, por është evidente që hyrja na koalicion do të shkaktonte përçarje të thella e ndoshta ndarje në dysh. Kjo e frenoi ndoshta hyrjen në koalicion me VV-në. Unë mendoj se ai rrezik ishte real. Dihen emrat që s’do të pajtoheshin të hynin në koalicion. Përgjegjësia nuk është vetëm e Abdixhikut por e gjithë atyre brenda kryesisë e më gjerë, që e kanë sjellë LDK-në në një situatë gati pa rrugëdalje”, tha Koci.