Avokati Arianit Koci ka njoftuar se një prej klientëve të tij është ftuar nga Gjykata Speciale për t’u marrë në pyetje.
Por, në vend që intervistimi i tij të bëhet në objektet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i njëjti thotë se do të intervistohet në një hotel.
Koci nuk ka treguar se për cilin person bëhet fjalë e as për vendin se ku do të qëndrojë klienti i tij, por ka thënë se kjo po “lë përshtypje të joseriozitetit”.
“E kam pranuar konfirmimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, se njëri prej klientëve të mi, do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit - në hotelin ku do të qëndrojë. Me kohën që e kanë pasur, buxhetin, dhe infrastrukturën që e kanë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - marrja në pyetje e të dyshuarit në hotel, po e len përshtypjen e joseriozitetit”, ka thënë Koci, duke theksuar njëkohësisht se me këtë “besoj, po trajtohemi në mënyrë të padinjitetshme”.