Avokati Arianit Koci ka njoftuar se do ta vazhdojë protestën lidhur me mosfunksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook ai ka njoftuar se do të qëndrojë para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, nga e hëna deri të premten, përfshirë edhe natën.
“Të hënën, më 9 qershor 2025, në ora 10:45, vazhdoj me protestë para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qëndrimi im do të jetë i pandërprerë gjatë gjithë javës – ditën dhe natën (flej para Kuvendit) – deri të premten, pas përfundimit të seancës. Do të largohem vetëm për gjykime apo angazhime profesionale të pashmangshme, që lidhen me mbrojtjen ligjore të klientëve. Ky përjashtim nuk e zbeh protestën – përkundrazi, e bën më të qartë dallimin midis përmbushjes së përgjegjësive dhe mosveprimit institucional”, ka shkruar ai.
Ka theksuar se kërkesë e tij është funksionalizimi i Kuvendit. Sipas tij zvarritja nuk është më çështje politike, por formë e paralizës institucionale që po dëmton besimin qytetar, ekonominë dhe funksionimin e shtetit.
“Shteti po shkatërrohet”, ka shkruar ai.
Ai ka nënvizuar se këtë javë është edhe gjykimi i personave të akuzuar për sulmin terrorist në Banjska, ku u vra në detyrë, duke e mbrojtur integritetin territorial të Kosovës - heroi polici Afrim Bunjaku.
“Unë jam përfaqësues i familjes së rreshterit të ndjerë Bunjaku”, ka përfunduar ai.
Koci ka protestuar edhe të enjten para Kuvendit.
Të shtunën ishte dështimi i 28-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.