Komuna e Kaçanikut do të futet në garën e balotazhit të dielën, bashkë me 20 komuna të tjera. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, dy parti në garë, janë shprehur pro koalicioneve paszgjedhore.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se koalicioni pas zgjedhjeve është i mundshëm.
“Meqë kemi qenë në hap me kërkesat e qytetarëve dhe i kemi pasur prioritet, qytetari ka ditur ta vlerësojë raundin e parë. Jam kryetari i 4 nga e njëjta parti por që edhe ekzekutivi është ndryshuar. Jemi në trend me kërkesën e qytetarëve. Meqë kemi bashkëbiseduar me të gjitha partitë, kemi kërkuar mirëkuptim, koalicioni paszgjedhor është i mundshëm sepse duam qeverisje stabile”, tha ai.
Ndërkaq, kandidati i VV-së Jeton Raka e ka quajtur të pashmangshëm një koalicion me një subjekt tjetër politik.
“Në këto ditë po angazhohemi maksimalisht të takojmë secilin qytetar. Ka një vullnet të jashtëzakonshëm për ndryshimin e pushtetit në Kaçanik. Jemi duke biseduar me qytetarët, duke iu ofruar programin. Koalicionin e kemi të pashmangshëm, paszgjedhor për shkak të numrave që i kemi në Kuvend Komunal sepse i kemi tetë ndërsa të tjerat subjekte kanë numra të tjerë, kështu e kemi të pashmangshëm”, ka thënë ai.