Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KMSHK ngriti profesionalizmin në mediat e Kosovës

Është shënuar 12 vjetori i themelimit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK). Në një ceremoni të organizuar nga ky këshill, drejtori ekzekutiv i tij, Nehat Islami, tha se në vitin e themelimit i ishin drejtuar dhe Këshilli kishte shqyrtuar vetëm 8 ankesa. Kurse, vetëm në 3 muaj e parë të vitit 2018, Këshilli ka pramuar dhe ka shqyrtuar e vendosur për 51 ankesa, një dëshmi për rolin dhe besimin e këtij institucioni vetërregullues të medieve në Kosovë.

“Në fillim kishim 7 anëtarë vetëm nga gazetat dhe revistat, kurse sot Bordi i KMSHK-së përbëhet nga 28 anëtarë që vijnë nga gazetat, revistat, portalet, agjencitë e lajmeve si dhe një blog. Ankesat që i drejtoheshin këshillit në fillim duhej të ishin vetëm për mediat anëtarë të këshillit, kurse sot ne marrim vendime edhe për ankesat që vijnë ndaj joanëtarët, e të tillë ka mjaft”, ka deklaruar Islami. Zëdhënësja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dinka Zhival ka thënë se BE është e përkushtuar për liri të shprehjes. Pa liri të medieve, sipas saj, nuk mund të ketë një qytetari të informuar dhe aktive.

“Etika e medieve dhe respektimi i standardeve më të larta është detyrë e secilit gazetar dhe redaktorë dhe në këtë fushë Këshilli i Medieve ka një rol kyç për të ngritur reputacionin e këtij profesioni në Kosovë”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore” njëherësh anëtarë i KMSHK-së, Agron Bajrami ka thënë se krijimi i \këshillit ka nisur qysh në vitin 2006. Në ato vite gazetat në përgjithësi ishin në një lloj armiqësie mes vete për shkak të rrethanave politike, pasi dikush anonte në një parti, dikush donte të ishte i pavarur e dikush kishte interes ekonomik. Fakti që drejtuesit e këtyre medieve u ulën në një tavolinë, siç u shpreh Bajramit, bëri që ata të shikojnë njëri tjetrin në sy dhe të diskutojmë çështjet që në esencë janë profesionale. “Kjo ka ndihmuar që të rregullohet një raport më i shëndoshë mes vetë medieve dhe gazetarëve në Kosovë. Prej fillimit ne kemi përfshirë edhe mediat minoritare”, ka theksuar ai.

Duke folur për kohën që i ka paraprirë formimit të këshillit, Bajrami ka thënë se formimi i KMSHK-së ishte një nga hallkat e domosdoshme që të bindim bashkësinë ndërkombëtare se Kosova është e gatshme që të menaxhojë punët e veta. “Na ishte thënë se nëse doni që të zgjidhej statusi i Kosovës dhe të bëhej shtet i pavarur përmes negociatave, paraprakisht duhet t’i përmbushni disa standarde. Krijimi i Këshillit të Medieve ka qenë një nga shumë standarde që duhej të përmbusheshin dhe ishte një kusht që të fillojë procesi i negocimit të statusit të Kosovës. Ai kusht u përmbush brenda 14 ditëve”, ka deklaruar kryeredaktori i Kohës Ditore.

U përmend edhe me këtë rast domosdoja që mediat e shkruara online, përkatësisht portalet, të frenohen nga tendenca e publikimit të lajmeve të rreme, që mbjellin konfuzion e shkaktojnë shqetësime në opinion.

Artikuj të ngjashëm